Zgjedhjet në Poloni, konservatori Duda fiton një mandat tjetër presidencial

schedule21:07 - 13 Korrik, 2020

schedule 21:07 - 13 Korrik, 2020

Presidenti polak Andrzej Duda  ka fituar një tjetër mandat pesëvjeçar me platformën e tij konservatore sociale dhe fetare, pas një beteje të ashpër zgjedhore që ka të ngjarë ta thellojë izolimin e Varshavës në Bashkimin Evropian.

Rezultatet thuajse përfundimtare nga balotazhi i së dielës tregojnë se 48-vjeçari Duda ka marrë mbi 51 përqind të votave, duke i dhënë epërsi ndaj kryebashkiakut liberal të Varshavës, Rafal Trzaskoëski, i cili mori pothuajse 49 për qind, njoftoi Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve.

Fitorja e zotit Duda ka të ngjarë ta bëjë më të ashpër konfrontimin me Komisionin Evropian, ndërkohë që ekzekutivi i BE-së përpiqet të zgjidhë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 dhe nacionalizmin në rritje në bllokun prej 27 anëtarësh.

Mbështetur nga Partia Ligj dhe Drejtësi, zoti Duda zhvilloi një fushatë të ashpër në zgjedhjet që u mbajtën në një klimë pandemie. Fushata e tij u karakterizua nga një gjuhë homofobike, sulme ndaj mediave private dhe akuzat se Trzaskoëski u shërben interesave të huaja në vend të atyre polake.

Kandidati Trzaskoëski, i cili kishte deklaruar se do të përmirësonte marrëdhëniet e Polonisë me Evropën dhe do të përdorte fuqinë e vetos presidenciale për të mos lejuar ligje që do të minonin shtetin juridik, i hodhi poshtë akuzat.

Para se Partia Ligj dhe Drejtësi dhe zoti Duda të vinin në pushtet në vitin 2015, Polonia kishte një prej administratave më pro-evropiane në BE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!