Kosova mbajti të dielën raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, rezultatet dolën pa vonesa dhe humbësit pranuan realitetin dhe përgëzuan rivalët e tyre, kurse fituesit u kujdesën që të reagonin me modesti.
Ky standart demokracie në Kosovë, për diplomatin Agim Nesho duhet të jetë shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Ndërsa analisti nga Prishtina Ardian Arifaj, në një lidhje direkte me “Abc Live” me Juli Xhokaxhi u shpreh se edhe një herë votuesi në Kosovë e tregoi se përkrah kandidatin më të mirë dhe nuk shkon vetëm pas siglave.
“Ka pasur një garë të hapur në çdo komunë. LVV ka qenë në një koalicion të hapur në Kamenicë ku ka fituar. Votuesi ka treguar që e përkrah kandidatin e mirë, kompetent që duket më bindës për ofertën e tij për qytetarët. Nuk votojnë në bazë të bindjes partiake.”
I pyetur nëse deklarata e Richard Grenell, i cili deklaroi se Kurti i humbi zgjedhjet se doli kundër SHBA, ka ndikuar, Arifaj tha se nuk beson se sjellja e kryeministrit karshi SHBA-ve mund të ketë ndikuar në zgjedhjet komunale.
“Nuk e besoj se në zgjedhjet komunale do të ishte vendimtare. Kurti si kryeministër nuk po ka guxim të marrë hapat që i ka premtuar kur ishte opozitar.”
Për Neshon dhe Arifajn arroganca i ka kushtuar Kurtit popullaritetin.
“Kur i krahason numrat e 14 shkurtit e sheh që ka një humbje të votës, ka të bëjë edhe me arrogancë. Por edhe disa kandidatë nuk përfaqësojnë vlerat e LVV. Në Mitrovicë kandidati nuk ka qenë i pëlqyer edhe prej vetë LVV aty. Kjo i është kthyer si dënim.”
Sa i përket PDK dhe LDK, për Agim Neshon ato bënë një kthesë duke u rikthyer fuqishëm me një lidership të ri që edhe u konsolidua brenda partisë këto zgjedhje.
“Është fillimi i rikthimit, në këto zgjedhje kanë konsoliduar veten brenda partisë…pritet të shohim një opzitarizëm të zëshëm.” /abcnews.al/