Zgjedhjet në Kosovë, PDK zyrtarizon kandidatin për kryeministër

schedule19:11 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 19:11 - 23 Dhjetor, 2020

Enver Hoxhaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, do të jetë kandidat i partisë për kryeministër.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe ka vendosur që Hoxhaj të jetë bartës i listës dhe kandidat për shef të Qeverisë në zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh, prej kur shpallen, raporton gazeta Express.

PDK ka mbetur pa kryetar, prej kur Kadri Veseli u arrestua dhe po mbahet në Hagë nën dyshimet për krime lufte.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi Gjykata Kushtetuese doli me vendim se votimi i Qeverisë së Avdullah Hotit është jokushtetues, sepse aty ka votuar deputeti Etem Arifi, i dënuar me burg.

Në listën e ngushtë të kandidatëve të ngushtë që PDK-së për kryeministër janë përmendur Hoxhaj dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Ky i fundit ka thënë se nuk ka ambicie për të qenë kandidat.

Enver Hoxhaj ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Isa Mustafës. /abcnews.al/