Zgjedhjet në 6 bashki, Komisioni i Rithemelimit nis përzgjedhjet e kandidatëve, Kaso flet për aleanca

schedule15:59 - 20 Janar, 2022

schedule 15:59 - 20 Janar, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj

Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit kanë nisur të parin proces përzgjedhjeje kandidatësh për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso sqaron se deri në 30 janar kandidatët dhe degët në 6 bashki të vendit do të kenë mundësi të regjistrojnë emrat që do t’i nënshtrohen procesit të selektimit.

“Me vendim të Komisionit të Rithemelimit është vendosur çelja e procesit të primareve. Për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 6 Marsit”, thotë ai.

Pa logon zyrtare të PD por të bindur se kanë shumicën brenda PD, Komisioni i Rithemelimit është gati t’i marrë PD aleatët me të cilët ishte në aleancë në zgjedhjet e 25 prillit, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Jemi në kontakt me të gjithë ata që garuan në zgjedhjet e fundit lokale kundër PS dhe Ramës. Jemi konfident dhe besimplotë që nesër apo pasnesër të kemi një përfundim me secilin aleat”.

Kreu i PAA, Agron Duka pranon se ka takuar Berishën por tregohet i kujdesshëm të flas për një aleancë me të.

“Me Bashën nuk jemi takuar. Nuk kemi asnjë lloj ftese. Gjasat janë që nuk do ketë takim. Sepse për një javë fillojnë regjistrimet. Nga zoti Berisha kemi pasur takim Unë personalisht e kam takuar. Kemi vendosur të mbështesim një kandidaturë që na duket më e përshtatshme për një bashki të caktuar.

Kjo mund të jetë e një grupi apo edhe një grupi tjetër. Bërja e një koalicioni me Bashën tashmë nuk është se kemi ndonjë kërkesë, por me Berishën që kemi një farë kërkese nuk i ndihmon bashkimit, por i ndihmon përçarjes”, shprehet Duka.

Por në kushtet kur KQZ njeh zyrtarisht Lulzim Bashën nën logon e PD, si do të regjistrohet në këto zgjedhje Komisioni i Rithemelimit?

“Ka shumë modalitete si kandidatët tanë mund të regjistrohen”, thotë Ivi Kaso.

Formula e konsesusit që kreu i LZHK, Dashamir Shehi propozoi një ditë më parë ishte ngritja e një komisioni me përfaqësim të gjerë opozitar për të zgjedhur vetëm një kandidat në opozitë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!