Gara për zgjedhjet e pjesshme lokale është hapur zyrtarisht dhe presidenti Ilir Meta nga Shkodra tha se nuk ka shmangie të asnjë force politike.
“S’ka asnjë shmangie të asnjë force as të PD as të PD, LSI, të asnjë force në Kuvend apo që është pjesë e sistemit tonë politik, aq më tepër është një mundësi dhe për shoqërinë civile dhe për grupet e interesit për çdo qytetar, të marrë pjesë dhe të kontribuojë në këtë situatë”.
I pyetur nëse është e favorizuar maxhoranca në këto zgjedhje, Meta u shpreh se të favorizuar janë qytetarët.
“Të favorizuar janë qytetarët të cilët do kenë mundësinë të zgjedhin mes disa kandidatëve, sepse s’e kanë pasur këtë mundësi tani u jepet si mundësi”.
Presidenti foli dhe për atë që u akuzua për ngërçin me dekretimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme. Meta tha se Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion nga Këshilli i Ministrave dhe KQZ dhe ka bashkëpunuar me këto dy institucione me to sapo u bë e qartë që nuk mund të ketë një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese, që zgjedhjet të zhvilloheshin në të gjitha bashkitë.
“Presidenti merr informacion për këto çështje nga KQZ dhe këshilli i ministrave, s’ka pasur informacion nga këto institucione dhe presidenti ka bashkëpunuar sapo u bë i qartë që s’mund të ketë vendim tjetër të kushtetueses. Presidenti priste që të kishin mundësi qytetarët të zgjidhnin kudo jo vetëm në këto 6 qytete, vendimi i gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur”.
Teksa ka komentuar shtyrjen në 1 shkurt të seancës për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, presidenti tha se vendimi ishte një farsë jashtë afateve dhe jashtë gjithë logjikës Kushtetuese. Kreu i Shtetit rikujtoi 2 marsin.
“Lidhur me vendimin e parlamentit të shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 Prillit me farsën për shkarkimin e presidentit jashtë të gjitha afateve dhe logjikës së kushtetutës, vetëm se ka bërë një intervistë te kolegu juaj, kaq mjafton për të pasur një atmosferë optimiste dhe pozitive. Ne këtu do të jemi. Në histori do të hyjë 2 marsi”, u shpreh Meta.
Në datën 6 Mars në 6 bashki të vendit do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme vendore. Kështu, në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun. Dekreti për datën 6 Mars të zgjedhjeve është nxjerrë sot nga Presidenti Ilir Meta. be.k/abcnews.al