Zgjedhjet, Manja: Fushatë atipike, 30 Qershori është një datë kushtetuese

schedule20:35 - 31 Maj, 2019

schedule 20:35 - 31 Maj, 2019

Partia Socialiste do të nisë të shtunën fushatën elektorale. Kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, deklaroi këtë të premte se në këtë fushatë, të cilën e quajti atipike, mazhorancës i kërkohet organizim, menaxhim dhe mbarëvajtje për të përcaktuar standarde të larta të zgjedhjeve.

“Është një fushatë atipike, por është një rrugë që nuk e zgjodhëm vetë. 30 Qershori është një datë kushtetuese e dekretuar nga Presidenti, por për shkak të një qëndrimi radikal të opozitës, ne jemi në një situatë atipike të fushatës së 30 Qershorit. Le të themi po shkojmë drejt 30 Qershorit si palë për të respektuar Kushtetutën e vendit tonë. A ka entuziazëm? Natyrisht, kur nuk ke kundërshtarë përballë edhe pse në disa bashki ka kandidatë, dhe këtu flas vetëm për kandidatët për kryetarë bashkie sepse në listat për këshillat bashkiakë ka pafund kandidatë që janë bërë pjesë e garës. Kjo fushatë duke qenë atipike për sa na takon ne kërkon organizmi, menaxhim dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor për të përcaktuar standarde të larta të zgjedhjeve”, tha Ulsi Manja gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos.

Më tej, deputeti i Partisë Socialiste deklaroi se selia rozë e ka nisur betejën e saj për zgjedhjet e Qershorit. Gjithashtu ai tregoi se si do vijojë puna gjatë fushatës.

“Kur je jashtë duket sikur nuk ka organizim, por në fakt ne e kemi filluar fushatën dhe nesër do jetë hapja zyrtare e fushatës në Tiranë në orën 17:00, por vazhdojmë përgatitje intensive për fushatën. Ne jemi çdo ditë në zonat tona përkatëse. Unë personalisht mbuloj Laprakën dhe ka kohë që e kemi nisur fushatën. E para do të prezantojmë në njësitë punët e mira që janë bërë 4 vjet në Bashkinë e Tiranës dhe pastaj do ju kërkojmë qytetarëve të dalin të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës për punët që kemi në proces, por edhe të tjerat që ne do t’i nisim shumë shpejt në Bashkinë e Tiranës”, tha Manja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!