Kandidati për kryetar bashkie në Durrës nga radhët e opozitës, Igli Cara në një intervistë për “Neës Line” me gazetaren Viol Xhafaj tha se ai është kandidat i të gjithë opozitës në këtë qytet. Ai shtoi se konsensusi që kanë arritur demokratët në Durrës i ka dhënë optimizëm për të vazhduar garën.
“Është një sinergji pozitive që demokratët i kanë dhënë kësaj gare sepse e shohim si një garë për Durrësin. Në këtë rast falenderoj demokratët që kanë gjetur konsensusin që të jemi bashkë me një kandidat. Kjo më ka dhënë shumë optimizëm për këtë garë.”, u shpreh ai.
“Kam dalë nga primaret, jam regjistruar me “Bashkë fitojmë” por tanimë nuk jam kandidat i një koalicioni por i të tërë opozitës në Durrës, i opozitës qytetare. Në këtë garë nuk hyjmë thjesht për të përfaqësuar një forcë politike. Jam në këtë garë për të përfaqësuar qytetin tim dhe jam kandidat i qytetit.
E kam bërë këtë rrugëtim, kam qenë përfaqësues i lartë i PD në Durrës, kam kaluar primaret, jam zgjedhur për të qenë pjesë kandidat i koalicionit por tanimë jam kandidat i të gjithë qytetit të Durrësit.”, shtoi më tej kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit./abcnews.al