Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, asnjë qeveri deri tani nuk ka përfunduar mandatin e plotë

schedule16:58 - 5 Tetor, 2019

schedule 16:58 - 5 Tetor, 2019

Përgatiti Dorina Kurtaj – Është hera e katërt që vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Asnjë qeveri deri tani nuk ka arritur të përfundojë të plotë mandatin.

Vajtja sërish në kutitë e votimit u shkaktua si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në Korrik dhe shpërndarjes së parlamentit. Haradinaj është kryetar i partisë konservatore Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në konfliktin e 1998-1999 kundër forcave serbe, 51 vjeç, dha dorëheqjen pasi u thërrit nga një gjykatë ndërkombëtare rreth dyshimeve për krime lufte. Dhe në të kaluarën ai ka qenë në qendër të akuzave të tilla, por në fund është shpallur i pafajshëm.

Pavarësia e Kosovës njihet nga më shumë se 100 vende: mes të cilave dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i shohin zgjedhjet e radhës si një mundësi për rifillimin e një dialogu paqësor me Serbinë. Gjithsesi, Rusia, Kina dhe pese vende europiane si Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, mbështesin Serbinë, e cila në nivel ndërkombëtar ka ndërmarrë një aktivitet lobues për të bindur vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që të tërheqin njohjen e Kosovës. Vendi i fundit që ka tërhequr njohjen sipas Beogradit, është Togo.

Mes Serbisë dhe Kosovës, tensionet në këto vite nuk janë ulur asnjëherë me të dyja vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kosova nuk është anëtare as e NATO-s dhe as e Bashkimit Europian, dhe qytetarët e Kosovës janë të vetmit në  të gjithë Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë ende për vizë për të udhëtuar në Europë. Gjithsesi sipas analistëve në vend, çështja e Serbisë nuk është në qendër të shqetësimeve të votuesve. Prioritetet e qytetarëve në Kosovë janë:

Masa konkrete për të ndaluar largimin e popullsisë nga vendi dhe papunësia;

Përmirësimi i sistemit të arsimit;

Shërbime shëndetësore të garantuara për të gjithë qytetarët;

Luftë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit;

Një standard jetese më të pranueshëm pasi në disa zona mes 25% dhe 40 % e popullsisë nuk përfiton ende nga rrjeti i kanalizimeve;

Ndërsa prioritet politik mbetet rifillimi i dialogut me Serbinë dhe Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave;

Ndërsa analistë ndërkombëtarë mendojnë se këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse dialogu Beograd-Prishtinë për momentin mbetet i bllokuar. Rifillimi i tij është një kusht thelbësor për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve. Një pikë e rëndësishme për Kosovën mbetet përmbushja e kritereve të Bashkimit Europian në luftën kundër korrupsionit. Pa këtë të fundit të rinjtë në Kosovë nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave për të gjetur një vend pune në zonën Shengen, në mënyrë që të kenë më shumë të ardhura, në një moment që ekonomia në vend nuk është ende e qëndrueshme.

Kosova ka popullsinë më të re në moshë në Europë, mosha mesatare është 29 vjeç, më pak se një e dhjeta e popullsisë është më shumë se 65 vjeç. Dhe pavarësisht kësaj më shumë se një e treta e popullsisë nuk punon, një përqindje që arrin në 60% mes të rinjve. Më shumë se 200 mijë qytetarët të Kosovës janë larguar nga vendi i tyre duke kërkuar azil në vende të Bashkimit Europian që nga moment që vendi shpalli pavarësinë.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia pranuan të ulen në tryezën e negociatave nën vëzhgimin e Bashkimit Europian, por atëherë nuk u shënuan progrese të rëndësishme. 90% e politikës në Kosovë refuzon çdo lloj kompromisi i cili përfshin lëshim territori në favor të Beogradit, apo një autonomi më të madhe të komunave me minoritet serb, që jetojnë në veri të vendit.  Ideja e rishikimit të kufijve, e propozuar fillimisht nga presidenti i Kosovës Thaçi dhe nga homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç, përballet dhe me kundërshtimin e vendeve si Gjermania, me frikën se çdo lloj shkëmbimi territoresh mund të shkaktojë paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor.

Në Nëntor të vitit 2018, Prishtina vendosi një tarifë prej 100 për qind në importin e produkteve serbe, në kuadër të reagimit për sulmim diplomatik serb në nivel ndërkombëtar. Bashkimi Europian ka kërkuar që t’i jepet fund kësaj lufte tregtare, pasojat e së cilës janë ende të diskutueshme. Çmimi i disa produkteve të konsumit është rritur në kurriz të shtresës më të varfër të popullsisë. Jo vetëm, pjesa më kontroverse politikisht e kësaj mase, është se në vend nuk lejohet tregtimi i produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të cilat nuk kanë në etiketë emrin kushtetues të Republikës së Kosovës. Të gjitha produktet të etiketuara “Kosovo i Metohija” – emri zyrtar serb i Kosovës apo “Kosovo/UNMIK” –  administrata e OKB-së, janë hequr nga tregu. Disa analistë në Kosovë parashikojnë se kjo luftë tregtare do të vazhdojë dhe në të ardhmen

Duhet theksuar, se të gjithë analistët e konsultuar nga Euronews, bien dakord për faktin se negociatat mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të rinisin as me qeverinë e re, dhe nëse fiton një parti si Vetëvendosje, që ka një qëndrim më të ashpër në krahasim me Haradinaj, si dhe është kundër çdo lëshimi kur bëhet fjalë për territoret. Kjo sepse negociatat drejtohen nga dy presidentët dhe forcat parlamentare janë të përjashtuara nga ky dialog. Haradinaj e ka të ndaluar të hyjë në Serbi dhe për të është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Beogradi. Analistë ndërkombëtarë mendojnë se qeveria është e përjashtuar nga negociatat dhe se politika e jashtme drejtohet ende nga presidenti Thaçi.

Ndërkohë mendohet se nga pothuajse 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, vetëm 35 mijë prej tyre kanë kërkuar të votojnë me anë të postës. Numri i vogël i kosovarëve në diasporë që vendosin të votojnë tregon se si brezi i dytë dhe i tretë ndihen gjithnjë e më pak të lidhur nga jeta e përditshme kosovare. Madje konsiderohet si një komunitet jo shumë i lidhur nga pikëpamja politike sepse kanë lënë një vend që nuk ishte në gjendje t’u garantonte kushte të pranueshme jetese. Pavarësisht partisë fituese, do të jetë shumë e vështirë që qeveria e re të përmbushë të gjitha prioritetet.

Mundësia e punësimit shpesh kërkon një shumë të caktuar parash ose lidhje politike. Ky mekanizëm është një presion në rritje për brezat e rinj në Kosovë. Të rinjtë e lindur pas luftës e kanë kuptuar vlerën e luftës për çlirim, por janë të lodhur nga papunësia, nga pamundësia për të lëvizur në Europë për të kërkuar një vend pune dhe nga shërbimet e pamjaftueshme në vend.

Qytetarët e Kosovës do të mund të zgjedhin mes 25 listave, mes të cilave dhe ajo serbe e mbështetur nga serbët të cilët duan tërheqjen e autonomisë së vendit. Pragu elektoral është 5%. Asnjë analist nuk mund të parashikojë se kush do të qeverisë pasi nuk ka asnjë parti politike e cila mund të synojë mazhorancën e plotë. Shumë të rëndësishme do të jenë aleancat pas zgjedhjeve. Në vitin 2017 koalicioni qeverisës u krijua nga tre ish liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Haradinaj, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj. Por këtë herë ata garojnë si rivalë.

Forcat politike grupohen në katër pole kryesore dhe pse vendimtare do të mund të jetë një forcë e pestë – iniciativa socialdemokrate, Nisma, e cila sipas sondazheve mund të marrë 6 për qind të votave.  Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në vend, konservatore dhe me qëndrime pranë nacionalizmit shqiptar është një nga partitë kryesore. Pas një dekade në rënie, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 mori numrin më të madh të bashkive. Për momentin ajo është në opozitë me 25 deputetë në parlament nga 120. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeministrit është Vjosa Osmani e cila sipas sondazheve mund të marrë 25 për qind të mbështetjes.

Vetëvendosja është një tjetër forcë politike në opozitë. Nacionalist, por i majtë, lideri i saj Albin Kurti dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai mund të përsërisë rezultatin e 2017-ës duke marrë 27.4 për qind të votave dhe të qeverisë së bashku me LDK nëse të dyja partitë do të gjejnë një marrëveshje për emrin e kryeministrit. Partia demokratike e Kosovës, partia politike e presidentit Hashim Thaçi, dhe e drejtuar nga Kadri Veseli, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili shënon dy mandate si kryetar i parlamentit, vendosi pikërisht emrin e tij për kryeministrin e ardhshëm të vendit. Veseli në fjalimet e tij elektorale ka premtuar luftë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, ndërsa sondazhet i japin 22 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e kryeministrit të dorëhequr Haradinaj, aleat me social demokratët e PSD-së. Pas mbylljes së qendrave të votimit pritet që mëngjesin e të hënës të jetë gati një pjesë e mirë e rezultateve përfundimtare. Partia që do të marrë më shumë vota do të jetë dhe ajo që do të propozojë emrin e kryeministrit të ri. Një  tjetër ditë e rëndësishme do të jetë dhe ajo e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit pasi vetëm atëherë do të kuptohet se cila mazhorancë do të qeverisë vendin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!