Analistët grekë parashikojnë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme që në muajin mars të vitit të ardhshëm. Sipas tyre janë pikërisht zhvillimet e fundit politike në vend që do të detyrojnë kryeministrin Tsipras të marrë këtë vendim.
Një seri zhvillimesh të brendshme dhe faktorë të jashtëm po shtojnë dhe më shumë zërat se kryeministri grek Aleksis Tsipras mund të përfundojë duke shpallur zgjedhje të parakohshme në muajin mars. Edhe pse Tsipras gjatë gjithë kohës këmbëngul se ka ndërmend të përfundojë mandatin katër vjeçar, duke nënkuptuar se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në vjeshtën e 2019-s. Burime pranë kryeministrit shprehen të shqetësuar rreth pasojave që mund të japë në Greqi një krizë në marrëdhëniet mes Italisë dhe Bashkimit Europian.
Një tjetër faktor që mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme janë dhe përplasjet për sa i përket marrëveshjes së Prespës në zgjidhjen e çështjes së emrit me Maqedoninë. Një marrëveshje që pritet të ratifikohet në parlamentin grek në muajin janar. Pikërisht për këtë arsye pritet që kryeministri grek Tsipras të ndahet nga partneri i tij i koalicionit qeverisës. Liderin e grekëve të pavarur Panos Kamenos, i cili kundërshton marrëveshjen me Maqedoninë./abcnews.al