Në Misisipi ka fituar kandidatja Republikane për karriken e senatit që ishte në diskutim. Në këtë mënyrë partia e vjetër fuqizon edhe më tej maxhorancën në Senat kundrejt demokratëve. Senatorja Hyde-Smith njihet për qëndrimet e saj ekstreme dhe për mbështetjen ndaj presidentit Trump.
Vala blu në Misisipi është zbehur. Në balotazhin për karriken e Senatit në Shtetet e Bashkuara ka triumfuar kandidatja republikane e së djathtës ekstreme e mbështetur nga presidenti Donald Trump, Cindy Hyde-Smith. Ajo mori mbi 54% të votave kundër 45% të rivalit democrat afroamerikan Mike Epsy. Kjo ishte sfida e fundit e zgjedhjeve amerikane të gjysëm mandatit që rikonfirmuan Dhomën e Përfaqësuesve për demokratët dhe një maxhorancë të gjerë në senat për Republikanët, 53 karrike nga 100 që janë gjithsej.
Fitorja e Hyde-Smith, e konsideruar një test lidhur me mbështetjen ndaj Trump dhe racizmit në jug të SHBA-ve, sinjalizon që kthimi nga e djathta e kandidatëve mund të kalojë në ekstremizëm. Për të ndihmuar senatoren Hyde-Smith, presidenti Trump mbajti dy tubime në vigjilje të votimit në Misisipi, duke sulmuar karvanin e emigrantëve, duke mbrojtur përdorimin e gazit lotësjellës kundër klandestineve dhe duke I përkufizuar hetimet për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane si “gjueti shtrigash”.
Gjysmë shekulli pas miratimit të “Ligjit mbi të Drejtat Civile” dhe “Aktit të të Drejtave të Votimit” dhe pas zgjedhjes së presidentit të parë me ngjyrë në historinë amerikane, Barak Obama, rezultati I votimit në Misisipi tregon se nuk ka hapësirë për kandidatët e bardhë të moderuar në jugun e thellë të Shteteve të Bashkuara. Në shtetin që mburret me numrin më të madh të linçimeve midis 1882 dhe 1968, Hyde-Smith gjatë fushatës zgjedhore nuk hezitoi të bënte një shaka shokuese duke thënë se ishte gati të rrinte “në rreshtin e parë” në rastin e ndonjë “varjeje publike”. Ajo më pas kërkoi falje duke pranuar se dikush mund të ishte ofenduar, pasi videoja me deklaratën e saj u bë virale. Ndërkohë, senatorja është një mbështetëse e zjarrtë e Trump dhe gjithmonë ka votuar në favor të presidentit duke ndarë linjën e ashpër ndaj emigrantëve, duke mbështetur politikën për armët dhe atë kundër abortit si dhe ka simpati për nacionalizmin e bardhë./abcnews.al