Zgjedhjet e 30 Qershorit, Nano: Legjitime, opinioni i “Venecias” i vuri vulën

schedule20:06 - 1 Tetor, 2019

schedule 20:06 - 1 Tetor, 2019

Gazetari Mustafa Nano në monologun e kësaj puntate të emisionit “Provokacija” u ndal tek raporti paraprak i Komisionit të Venecias në lidhje me çëshjtjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

Nano citon një fragment, ku thuhet se, “anulimi i zgjedhjeve, e shtyrja e tyre, kanë qenë veprime antikushtetuese; me këtë është cënuar e drejta e të zgjedhurve për të zgjedhur: bojkoti elektoral i partive, edhe nëse janë parti të mëdha, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta; përndryshe, këto parti do të ishin në gjendje të pengonin, sa herë që ua jepte në kokë, çdo proces zgjedhor”.

Për gazetarin kot janë gjëra të thëna më parë nga aktorët lokalë që kur PD vendosi të bojkotonte zgjedhjet. Sipas Nanos, zgjedhjet u bënë si u bënë jo për faj të socialistëve, por për shkat të opozitës, e cila nuk u fut.

“Janë gjëra që po i dëgjoni për herë të parë? Jo, i keni dëgjuar me qindra herë, të thënë e stërthëna nga aktorë lokalë, para se të niste fushata elektorale e zgjedhjeve lokale, më saktë, që kur Partia Demokratike mori vendimin për të bojkotuar këto zgjedhje. Ashtu siç keni dëgjuar zëra të tjerë që thoshin se “zgjedhjet mund të bojkotohen në mënyrë që t’i tregohet botës se në Shqipëri është vendosur një diktaturë”, apo se “nevoja për të rrëzuar diktaturën putative është më e madhe se shqetësimi prej luftës civile që mund të plasë”, apo se “zgjedhjet pa opozitën janë një poshtërsi e madhe e socialistëve”, etj, etj. Mbetemi te fraza e fundit: Zgjedhjet pa opozitën ishin një poshtërsi e madhe e socialistëve. Kjo është një nonsens. Duhet ta themi copë: ato zgjedhje u bënë ashtu si u bënë, të shëmtuara, jo për faj të socialistëve. Socialistët kanë shumë mëkate në këtë vend, por faji për ato zgjedhje bie mbi opozitën. Faji nuk ishte i mazhorancës që këmbënguli që zgjedhjet të bëheshin. Ishte i opozitës, që në zgjedhje nuk u fut. Ta shohësh ndryshe këtë gjë, është si t’i shohësh gjërat me kokëposhtë”, tha Nano.

Më tej, Nano rendit arsyet pse mendon se zgjedhjet nuk mund të shtyheshin. Sipas tij, opinioni i Komisionit të Venecias i vuri vulën mendimit se zgjedhjet e 30 Qershorit ishin legjitime.

“Një, sepse nuk të lejon kushtetuta. Dhe kjo do të ishte mjaft si arsye. Dy, sepse opozita nuk kërkonte shtyrje zgjedhjesh. Ata kërkonin rënien e qeverisë. Tre, sepse nuk kish asnjë arsye madhore që zgjedhjet të shtyheshin. Çdo gjë ishte një kapriço. Katër, sepse nuk është ndonjë hatá nëse një parti nuk merr pjesë në zgjedhje. Në demokraci, pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë, jo një detyrë. Është një mundësi, jo detyrim.

Dhe zgjedhjet, siç pritej, u bënë. Ishin, siç thashë, zgjedhje të shëmtuara. Por ishin legjitime. Dhe Opinioni i Komisionit të Venecias i ka vënë vulën këtij mendimi. Dhe unë shpresoj më në fund që ata që bënin thirrje të mos shkohej në zgjedhje, të jenë ndier keq më pas, sidomos tani, pas qëndrimit të Komisionit të Venecias. Nëse edhe Komisionin e Venecias nuk na i nxjerrin të korruptuar”, tha Nano.

Votimin më 30 Qershor, Mustafa Nano e konsideron si një nga veprimet më të mira publike që ka bërë ndonjëherë.

“Unë vetë shkova në zgjedhje. Votova. Nuk jam ndier mirë atë ditë. Kisha një lloj sikleti. Ishte si një ditë e shkretë. Ishte një festë e prishur. Ishte si një funeral. Kjo ishte ideja që më shoqëroi atë ditë të 30 Qershorit 2019. E megjithatë, mua më vjen mirë që shkova të votoja. Është një nga veprimet publike më të mira që kam bërë ndonjëherë. Ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë, por nuk bëhem merak. Nuk bëhem merak, sepse e di se kush janë këta njerëz. Janë njerëz që në të vërtetë nuk kanë gjë kundër korrupsionit, apo kundër vjedhjes së votave, apo kundër sundimit të njëshit. Thjesht do donin që njëshi të mos quhej Rama, por të quhej Berisha, e që paratë publike e votat t’i vidhnin jo socialistët, por ata vetë”, tha moderatori i emisionit “Provokacija”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!