Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie të subjektit zgjedhor “Bindja Demokratike”. Por ky vendim hasi në kundërshtinë e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët thanë se dokumentacioni i plotësuar nga “Bindja”, nuk është i plotë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar kandidatët e propozuar nga Bindja Demokratike për kryetarë bashkie për garën elektorale të 30 Qershorit. Vendimi i cili regjistroi 4 vota pro dhe 1 kundër u bazua mbi dokumentacionin e depozituar nga kjo forcë politike se ka një deputet në parlament, Andi Përmetin dhe mbështetjen e një të dyti, Lefter Koka.
Vota kundër e kreut të këtij komisioni Klement Zguri, mbështeti leximin që demokratët i bëjnë nenit 68 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit subjekti zgjedhor që të regjistrohet duhet të ketë të ekzistojë të paktën 6 muaj dhe të ketë një deputet.
“Logjika e dispozitës është që një subjekt që kandidon që çon kandidatura duhet të ketë mbështetje të vërtetuar. Duhet që subjekti të ekzistojë 6 muaj para zgjedhjeve. Duhet ose të mbledhë mbështetjen e 1% të listës së votuesve ose të jetë i certifikuar më parë në zgjedhje dhe të zotërojë ose një mandat deputeti 6 muajt e fundit, ose një mandat këshilltari gjashtë muajt e fundit”, u shpreh Ivi Kaso.
Por anëtarësia e këtij komisioni solli në vëmendje një precedent të ngjashëm më atë të “Bindjes”.
“Vërtetojmë se zoti Gazmend Oketa është deputet i legjislaturës së shtatë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe është përfaqësues i partisë “Fryma e Re Demokratike” në Kuvend. Pra vërtetimi është lëshuar në emrin personal të deputetit, ka të deklaruar që mbështet një forcë politike, katër muaj përpara mbledhjes së Këshillit të Vërtetimit dhe institucioni e ka quajtur të rregullt. Asnjë nga palët nuk ka pasur kontestime”, tha anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.
Përpos debateve mbi statusin e partisë demokratike në mbledhjet e KQZ, nënkryetari i këtij komisioni sfidoi sekretarin për çështjet ligjor Ivi Kaso të apelojë këtë vendim të KQZ-së./ABC News Albania 24/7