Zgjedhjet e 25 prillit, KQZ: Partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje

schedule13:56 - 19 Mars, 2021

schedule 13:56 - 19 Mars, 2021

Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve ka reaguar këtë të premte në lidhje me incidentet e fundit të ndodhura gjatë fushatës elektorale të 25 prillit në vendin tonë.

Përmes një deklarate për mediat, KQZ në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.

Ndër  të tjera thuhet se partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.

Deklarata e Plotë:

Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjlljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.

Duhet mbajtur në vemendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politik ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cënimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.

Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.

Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit.

Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurentët e tyre.

Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.

Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ i bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë anagzhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.

Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!