Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh i bindur se do të fitojnë mbi 40 bashki në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Në konferencën që po mban me gazetarët, Gjiknuri theksoi se nuk përjashtohet mundësia që të fitojnë më shumë bashki duke marrë parasysh kundërshtarin.
“Mendoj se rezultati do të shkojë në favorin e PS për dy arsye. E para përtej efektivitetit në pushtet dhe qëndrueshmërisë së gjatë, nuk shoqërohet me alternativa më të mira. Kemi alternativa të vjetra, të ricikluara nga shoqëria, është një alternativë e përçarë.
Nisur dhe nga historiku elektoral dhe se PS ka mbështetje të gjerë, të bën të mendosh se është e pamundur të zbresim nën 40 bashki. Kjo nuk diskutohet. Shifra mund të jetë edhe më e lartë por varet nga dinamika në krahun opozitar dhe organizimi ynë që që numri i bashkive të jetë dhe më i madh në favorin tonë.
Duke parë qeverisjen dhe trashëgiminë elektorale dhe alternativën përballë dalim natyrshëm në këtë përfundim. Edhe ju edhe pse nuk doni ta pranoni këto janë llogaritë elektorale kur nuk ke asnjë alternativë tjetër përballë. Këtë të thonë dhe kundërshtarët, për aq kohë sa nuk ka një alternativë të besueshme.“, tha ai. /abcnews.al