Nga Erblina Mile
Pandemia por edhe zgjedhjet paralajmërojnë një vit shumë të vështirë për ekonominë shqiptare edhe gjatë 2021. Prodhuesit shqiptarë shprehen se po përballen me vështirësi serioze ndërsa nuk po gjejnë mundësi financimi për të vijuar aktivitetin.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra shprehet se shtyrja e afatit të garancisë nuk do të japë asnjë efekt pasi interesat janë shumë të larta.
“Shtyrja nuk është zgjidhja, ose nuk është e gjithë zgjidhja. Ky instrument duhet të ishte e kushte më të lehta. Prandaj quhet garanci shtetërore, që të garantojë 100% bankën, që kredimarrësi të mos paraqesë një mal me dokumente” tha ai.
Bizneset shqiptare tashmë po përballen me sfida të shumta duke u detyruar të ulin pagat dhe numrin e punonjësve.
“Kemi ulje të punësimit, punësim jo kualitativ, ka ulje të pagave për të ruajtur vendet e punës, por kthehet në jo produktive, kemi largime të mëdha të kualifikuarve” tha ai.
Akuzojnë qeverinë se nuk po ndërmerr asnjë masë konkrete dhe po realizojnë vetëm arnime elektorale që në thelb vetëm po rrisin informalitetin. “Ne nuk po shohim plan, vetëm gjetje sporadike, cdo muaj ka një gjetje, situatë, arnim, më tepër është elektorale sesa për të rimëkëmbur ekonominë.
Ka shumë ndërhyrje fiskale, procedurale me qëllim që të favorizojë një shtresë të caktuar të sipërmarrjes, si ndryshimi i nivelit të TVSH-së, që e prish njëherë e mirë zinxhirin e TVSH-së. Pasojat do i ndjejmë, besoj që do të fillojë të rritet informaliteti, tashmë kanë filluar sipërmarrjet që të kthehen në biznes të vogël” tha ai.
Pavarësisht se pritshmëritë janë që ky të jetë vit i rimëkëmbjes ekonomike numri i lartë i të prekurve me covid-19 ka shtuar vështirësitë te bizneset në vend të cilat po përballen edhe me rënie të kërkesës nga tregjet e huaja./ db/Abcnews.al