Në “Vasil Shanto”, janë grumbulluar kutitë, pasi ka përfunduar dorëzimi në KZAZ numër 39.
Gazetari Andon Kello tha për ABC News se procesi i administrimit të votave ka ecur me ritme të shpejta. Gjithashtu 96 qendra votimi në një kohë shumë të shpejtë kanë mbyllur të gjitha kutitë.
Në njësinë 9, gazetari Ermal Vija tha se kanë mbërritur të gjitha kutitë në ZAZ numër 40. Numërimi pritet të fillojë pas orës 12.
Në këtë njësi janë edhe dy qendra votimi të dy institucioneve të vuajtjes së dënimit siç janë burgu 302 në kryeqytet dhe burgu 313. Do të shihet edhe se si kanë votuar
Ndërsa nga Bashkia e Krujës, gazetarja Ajgena Korbi tha se po përgatitet tryezat për të vijuar procesi i numërimit. Rreth 63 mijë zgjedhës kanë shprehur vullnetin e tyre.
Në Kavajë janë dorëzuar të gjitha kutitë e votimit, dhe pritet që të nisë edhe numërimi i votave rreth orës 00:00. Gazetarja Bleona Sari tha për ABC News, se komisionerë të forcave politike po ashtu janë të pranishëm për të ndjekur nga afër procesin.
Ndërsa në Fier, në orën 23:22 ende nuk ka përfunduar dorëzimi i kutive, dhe pritet të grumbullohen në KZAZ numër 60. Gazetarja Genta Dobra tha për ABC News, se ende nuk ka një afat se kur mund të përfundojë procesi i dorëzimit. Ndërsa sa i përket Bashkisë Roskovec, Patos apo Mallakastër, mund të nisë edhe më shpejt.
Në Lushnje, gazetari Ervin Leka tha për ABC News, se ka përfunduar dorëzimi i kutive. Në KZAZ numër 56 janë grumbulluar të gjitha kutitë, në muzeun Historik. Në këtë mënyrë pritet edhe që të nisë numërimi i votave. Policia gjithashtu është prezente në hollin e Muzeut Historik të Lushnjes.
Në Lushnje gjatë ditës janë raportuar disa problematika, pasi ka pasur përplasje mes përfaqësuesve të PD dhe PS, incidente të cilët janë shuar edhe më ndërhyrje të policisë.
Po ashtu edhe në Elbasan vazhdon dorëzimi i kutive. Gazetarja Kasandra Pali tha se kutitë po mblidhen në KZAZ numër 48, 50 dhe 51 në Pallatin e Sportit.
Gazetari Ermal Vaka tha për ABC News se në Kukës ka nisur procesi i numërimit. Në KZAZ numër 11 ka nisur të numërohen edhe votat e para.
Në Dibër ende nuk ka nisur numërimi i votave, ky proces pritet të nisë në orën 00:00. Gazetari Sali Doçi tha për ABC News se janë dorëzuar të gjitha kutitë e votimit.
Ndërsa në Mat kutitë e votimit janë grumbulluar në KZAZ 16. Numërimi i votave tashmë ka nisur, në shkollë 9-vjeçare Tahir Hoxha.
Në Vlorë po ashtu procesi i numërimit të votave në Vlorë pritet që të nisë pas orës 00:00. Në shkollën “Ismail Qemali”, në KZAZ 84 janë grumbulluar të gjitha kutitë e votimit.
Gazetari Elton Nika ka sjellë të dhënat e fundit nga KZAZ 85, duke thënë se të gjitha kutitë kanë mbërritur në KZAZ. Megjithatë ende nuk ka nisur procesi i numërimit të votave, gjë e cila mendohet që edhe në këtë KZAZ të nisë pas mesnate.
Në Fier po ashtu në KZAZ 58 janë dorëzuar edhe kutitë e fundit. Dhe pritet që të numërohen 64 kuti votimi. Procesi i numërimit pritet të nisë nga momenti në momentit dhe do të jenë edhe vëzhguesit.
Në Gjirokastër gjithashtu në KZAZ numër 81 janë dorëzuar të gjitha kutitë. Në bashkinë Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë dhe Përmet, ka nisur numërimi. Në Durrës, gjithashtu ende vijojnë të dorëzohen kutitë. Procesi i numërimit të votave pritet të vijojë pas mesnate.
/abcnews.al/

