Këtë të enjte janë zhvilluar zgjedhjet në universitete e Shqipërisë. Është vënë re një pjesëmarrje e madhe e stafeve akademike, ndryshe nga ajo e studentëve që kanë vetëm 10 % të peshës së votës së tyre.
Këto zgjedhje u zhvilluan mes shumë polemikash, si për mënyrën e procesit dhe garës, po ashtu edhe për shkak të pandemisë.
E gjithë vëmendja në këto zgjedhje ishte te gara për rektor në Universitetin e Tiranës, për të cilin kanë të drejtë vote 718 personel akademik dhe mbi 25 mijë studentë.
Nëse vota e stafeve akademike ka një peshë të madhe për strukturat drejtuese, e kundërta ndodh me votën e studentëve e cila është vetëm 10%, kjo ishte edhe një nga arsyet që pat pjesëmarrje të ulët nga këta të fundit.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Universitetin e Tiranës, 68 vëzhgues janë për kandidatët për rektor dhe deri tek përgjegjësi i departamentit, ndërsa 93 vëzhgues nga studentët, 3 nga sindikatat.
Për shkak të pandemisë, nëpër fakultete ishin marrë masat e zbatimit të protokollit të sigurisë që në hyrje, por tek Fakulteti i Drejtësisë studentët ishin më të shkujdesur, duke mos respektuar distancën fizike.
Për Universitetin e Tiranës kandidate për rektorë janë Artan Hoxha, Mimoza Hafizi dhe Kozeta Sevrani.
Edhe në universitetet publike në rrethe, interesi i studentëve ishte i vogël për të zgjedhur rektorin, pasi në disa prej tyre kishte vetëm një kandidat në garë, madje dhe garonin për një mandat të dytë. Një grup studentësh duke i konsideruar zgjedhjet në universitete të paligjshme, i kanë kërkuar presidentit që të mos i dekretojë ato./abcnews.al