Zgjedhja e Putin: Luftë e nxehtë, ose një konflikt thellësisht i ngrirë

schedule10:08 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 10:08 - 6 Dhjetor, 2021

Nga David M.Herszenhorn “Politico.eu

Zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, janë të shqetësuar se Rusia po synon të përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë, teksa mijëra trupa ruse janë pozicionuar përgjatë kufirit për një pushtim të mundshëm të afërt. E megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin mund të ketë në mendje pikërisht të kundërtën: thellimin e ngrirjes së konfliktit në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore, si garancia e tij më e mirë, dhe ndoshta e vetmja, se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO.

Në një takim të zhvilluar Stokholm të enjten e shkuar, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, bënë vlerësime krejtësisht të kundërta mbi situatën në Ukrainën lindore. Blinken këmbënguli se rreziku i vetëm i luftës, ishte kërcënimi nga agresioni ushtarak rus.

Ndërkohë Lavrov tha se kërcënimi i vetëm buron nga zgjerimi i NATO-s drejt lindjes. Ata ranë dakord që presidentët Putin dhe Biden të bisedonin direkt me njëri-tjetrin në ditët e ardhshme. Rusia ka dashur prej kohësh të braktisë bisedimet e paqes të sponsorizuara nga dyshja Francë-Gjermani me Ukrainën (formati i Normandisë) në favor të një dialogu direkt me Uashingtonin, që do t’i bënte jehonë statusit të Moskës si një ish-superfuqi.

Pas konfirmimit të diskutimeve në rangun e presidentëve, disa analistë rusë sugjeruan se rreziku i luftës po zbehet, në favor të negociatave të reja. “Duket se frika ushtarake mbi Ukrainën mund të ketë mbërritur kulmin, pasi ka krijuar terrenin për pazare diplomatike”- shkroi në Tëitter Dmitri Trenin, drejtor i Carnegie Moscoë Center.

Por shpresat e Rusisë për negociata paralele me SHBA-në mund të jenë të gabuara. Së bashku me kërcënimet e tij të fundit për pasoja të rënda në rastin e një pushtimi rus të Ukrainës, Blinken ka theksuar vazhdimisht se rruga më e mirë drejt paqes është që Rusia t’i kthehet negociatave si pjesë e marrëveshjes së paqes Minsk 2, pjesë e formatit të Normandisë.

Por Putin ka refuzuar muajt e fundit të marrë pjesë në takimet e Normandisë. Madje ka refuzuan edhe një lutje personale të kancelares gjermane në largim Angela Merkel. Shumë ekspertë besojnë se marrëveshjet e Minsk 2 janë de fakto të rrëzuara, pasi as Rusia dhe as Ukraina nuk janë të gatshme të përmbushin detyrimet e tyre.

Joe Biden u tha të premten gazetarëve se synon të pengojë një pushtim të Ukrainës nga Rusia. Por edhe nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë do të pranojë të përfshihet në negociata direkte me Putinin, apo nëse SHBA-ja do ta merrte një rol zyrtar në negociatat aktuale, Uashingtoni ka shumë pak gjëra që mund të ofrojë për të plotësuar kërkesat e Rusisë, pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të cilin janë zotuar ta mbrojnë më forcë SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s.

SHBA dhe aleatët e saj, nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë nga Rusia, për të cilin kanë vendosur sanksione ndaj Moskës. Ata s’do t’i bëjnë presion Ukrainës që të heqë dorë nga një pjesë e territorit në rajonet e saj lindore, Donetsk dhe Luhansk, aktualisht të pushtuara nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Ndërkohë, as SHBA-ja dhe aleatët nuk do t’i japin Rusisë veton mbi ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar një ditë NATO-s dhe BE-së. Kjo u theksua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi që zhvilloi të mërkurën e kaluar me ministrat e jashtëm të aleancës në Riga të Letonisë.

“Vetëm Ukraina dhe 30 aleatët e NATO-s vendosin se kur Ukraina do të jetë gati t’i bashkohet NATO-s. Rusia nuk ka të drejtën e vetos, dhe as ndonjë zë mbi këtë çështje.

Ajo s’ka të drejtë të krijojë një sferë ndikimi, përmes përpjekjes për të kontrolluar fqinjët e saj”- theksoi ai.

Disa aleatë të NATO-s kanë shprehur në konfidencë skepticizëm rreth paralajmërimeve të Uashingtonit për një pushtim të afërt rus. Ata nuk kundërshtojnë të dhënat e shërbimeve sekrete amerikane, përfshirë imazhet satelitore, që tregojnë një mobilizim të madh të forcave dhe armëve ruse përgjatë kufirit.

Por ata vënë në dyshim gjasat që Putini të dëshirojë të nisë një luftë tjetër. Një analizë e brendshme, e përgatitur për zyrtarët dhe diplomatët e Komisionit Evropian, e parë edhe nga POLITICO, vinte në dukje nivelin e lartë të alarmit që u përcjell aleatëve Uashingtoni.

Por dokumenti arrin në përfundimin se Rusia nuk ka gjasa të nisë një sulm të afërt, pasi nuk ka aftësitë logjistike për të mbështetur një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës.

“SHBA-ja e konsideron si serioz kërcënimin e përshkallëzimi ushtarak rus, dhe beson se ky nuk është një bllof i Putinit. Por për shkak të mungesës së mbështetjes logjistike, do të duheshin 1-2 muaj që ushtria ruse të mobilizohej për një pushtim të plotë. Për më tepër, dobësia e përgjithshme logjistike, e pengon ushtrinë ruse nga një pushtim serioz.

Prandaj nuk ka asnjë kërcënim për ndonjë pushtim të afërt”- theksohet në raport. Në vend se të ndezë një luftë të nxehtë, raporti thekson se Moska ka më shumë gjasa ta përdorë mobilizimin e trupave, për të përcjellë pakënaqësinë e saj në rritje mbi forcimin e lidhjeve ushtarake të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe NATO-s me Ukrainën, si dhe për blerjen nga Ukraina të armatimeve të reja, përfshirë një dron ushtarak turk, që është përdorur kohët e fundit kundër artilerisë të forcave separatiste në lindje.

“Moska duket se i kupton plotësisht kostot e një pushtimi. Prandaj, para-pozicionimi ka të bëjë më shumë me dhënien e mesazhit të pakënaqësisë në lidhje me politikën perëndimore ndaj Ukrainës”- thekson më tej dokumenti. Por raporti përmend edhe skenarë të tjerë të mundshëm, duke përfshirë përgatitjet e Rusisë për një konflikt ushtarak të ngjashëm me

atë kundër Gjeorgjinë në vitin 2008, kur Rusia përdori një forcë ushtarake masive në kundërpërgjigje ndaj përleshjeve midis trupave gjeorgjiane dhe forcave separatiste me bazë në Rusi, të cilat Moska i karakterizoi si provokime nga Tbilisi.

Sipas këtij këndvështrimi, Rusia mund të përdorë si një pretekst për pushtim, përdorimin e armëve të avancuara nga Ukraina pranë territorit të kontrolluar nga separatistët. I vetëdijshëm mbi rrezikun, Blinken i ka bërë thirrje gjithashtu Ukrainës që të jetë e vetëpërmbajtur, teksa theksoi se Rusia ka fabrikuar edhe më herët provokime, për të justifikuar më pas agresionin e saj ushtarak.

Putin e ka shprehur prej kohësh pikëpamjen se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”. Por ndërsa preferenca përfundimtare e Putin, mund të jetë që Rusia ta pushtojë të gjithë vendin, ky skenar duket i largët. Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, dhe gati 8 vite konflikt në Donbas, segmente të mëdha të popullsisë ukrainase e përbuzin Rusinë dhe udhëheqësin e saj.

Rusia mund të ketë motive të forta për të tentuar një pushtim më të kufizuar të territorit ukrainas, përfshirë krijimin e një lidhjeje tokësore me Gadishullin e Krimesë. Por objektivi më i sigurt i Putinit duket se është të pengojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Në vitin 2019, parlamenti i Ukrainës e ndryshoi kushtetutën e vendit, për të shtuar disa dispozita specifike, që e ngarkojnë presidentin dhe qeverinë të zbatojnë “kursin strategjik për arritjen e anëtarësimit të plotë të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

Disa anëtarë evropianë të NATO-s e kanë kundërshtuar më parë anëtarësimin e Ukrainës, duke e ditur se kjo gjë do t provokonte Moskën. Por Putin ka këmbëngulur prej kohësh, se SHBA-ja e ka shkelur premtimin që i dha dikur Rusisë, duke pranuar në aleancë vendet në lindje të Gjermanisë.

Ai mund të besojë tani se garancia e tij e vetme për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s, është ta zgjasë statuskuonë në Donbas, duke mbështetur një konflikt të ngrirë të ngjashëm me atë në Transnistria në Moldavi, dhe rajonet gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Duke pasur parasysh angazhimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, është në fakt e pamundur që aleatët të pranojnë një anëtar të ri, të bllokuar në një konflikt ushtarak të vazhdueshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!