Zgjedhja e Pjerin Ndreut si kryetari i Shoqatës së Bashkive, Ademi: Vendimi të shpallet i paligjshëm

schedule12:40 - 16 Qershor, 2021

schedule 12:40 - 16 Qershor, 2021

Vazhdon përplasja për kreun e Shoqatës së Bashkive mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut.

Voltana Ademi i është drejtuar gjykatës për këtë çështje, duke kërkuar që vendimi për zgjedhjen e Ndreut në krye të Shoqatës së Bashkive të shpallet i paligjshëm.

Lexo edhe: Shkarkohet Voltana Ademi, kryetar i Shoqatës së Bashkive zgjidhet Pjerin Ndreu

Edhe më herët Voltana Ademi e ka kundërshtuar këtë vendim, duke deklaruar se votimi është bërë nga eksponentë të Partisë Socialiste dhe jo nga anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

 “Mbledhja e Asamblesë së thirrur nga Ndreu është e paligjshme, pasi është thirrur në kundërshtim me statutin në mungesë të një njoftimi sikurse kemi arsyetuar me lartë, pa kaluar të paktën 30 ditë nga mbledhja e Komitetit Drejtues, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë persona jo anëtar, si dhe i është mohuar pjesëmarrja kryetares së Bashkisë Shkodër, Ademi.  

Personat që kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të thirrur nga Ndreu, nuk janë zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe nuk mund të jenë përfaqësues të këtyre bashkive në shoqatë, për më tepër që këto bashki që pas zgjedhjeve të 30 qershorit të 2019 janë larguar vullnetarisht nga shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe po ashtu, nuk kanë paguar kuotizacionet prej më shumë se 3 vitesh”, thuhet në komunikimin e Ademit.

Faktet e çështjes

-Shoqata e Bashkive ka pasur në përbërje të saj midis të tjerave edhe Bashkinë Lezhë dhe disa bashki të tjera sikurse pasqyrohen në aktet që ndodhen pranë kësaj Gjykate, por që këto bashki që pas zgjedhje jo kushtetuese të 30 qershorit 2019, kanë zgjedhur të lënë anëtarësinë në këtë shoqatë dhe të anëtarësohen tek shoqata tjetër “Për Autonominë Vendore”, sikurse pasqyrohet në provat shkresore që kemi paraqitur bashkë me këtë kërkesë. Në të njëjtën, kohë që prej asaj kohe, këto bashki nuk kanë paguar kuotizacionet duke humbur anëtarësinë në këtë shoqatë edhe për këtë shkak përvecse për shkak të zgjedhjes së tyre.

-Vendimit i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Nr. 5, datë 8 qershor 2021 që ka rikonfimuar ose rizgjedhur znj. Ademi si kryetare të shoqatës është marrë nga -Asambleja e cila në përputhje me statutin është mbledhur rregullisht 30 ditë pas vendimit të Komitetit Drejtues.

-Shoqata e Bashkive të Shqipërisë e  drejtuar nga znj. Voltana Ademi, duke vlerësuar që zgjedhjet e 30 qershorit 2019 janë zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën e RSH, ka paraqitur kërkesë para Gjykatës Kushtetuese ku ka kërkuar:

“1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/ procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 “Për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjeve së anëtarëve të këtyre organeve në kundërshtim me nenet 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 13, 15, 17, 18, 22, 42, 43, 45, 48, 65, 92, 93, 109, 116, 122, 145 gernat d), e), germat 2) dhe f) të nenit 131, germa h), pika 1 e nenit 134 të Kushtetutës së RSH. 2. Verifikimin e Kushtetutshmërisë së veprimtarisë së Partisë Bindaj Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në Gjykatë dhe zgjedhjet zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me germen d) të nenit 131 të Kushtetutës së RSH”.

-Për këto arsye, i vlerëson kryetarët e këtyre bashkive të zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe kësisoj bazuar në statutin e shoqatës, ato nuk mund të marrin pjesë në shoqatë dhe as në organet drejtuese të saj etj.

-Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të datës 8.6.2021, të thirrur nga z. Pjerin Ndreu dhe vendimi i Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe cdo akt tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga z. Ndreu dhe cdo person tjetër, janë vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.

-Qëllimi i Mbledhjes së Asamblesë të Përgjithshme të shoqatës nga z. Pjerin Ndreu dhe kryetarë të tjerë të zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën, ka për qëllim vetëm ndërhyrjen e paligjshme në procesin që zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë kërkesën me datë 23 qershor 2021.

Gjithashtu Ademi kërkon mosregjistrimin e vendimit të Asamblesë të datës 8 shtator dhe vendimit të Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga  Ndreu si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.

“Duhet të vendoset refuzimi i regjistrimit të Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të datës 8.6.2021, të thirrur nga z. Pjerin Ndreu dhe vendimit të Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe i çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga z. Ndreu dhe çdo person tjetër si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate”, thuhet në kërkesën e Voltana Ademit drejtuar gjykatës. /abcnews.al/