Juventusi i surprizoi të gjithë duke zgjedhur Andrea Pirlon trajner të ri të skuadrës. 41-vjeçari nuk ka eksperiencë në pankinë, por është i sigurt fakti që bardhezinjtë do të rikthehen të zhvillojnë një futboll të bukur me të si “timonier”.
Drejtori sportiv i kampionëve të Italisë, Fabio Paratici flet rreth vendimit për të zgjedhur ish-mesfushorin e madh si zëvendësues të Sarrit dhe e mbyll me një koment për veten e tij. Shumë kritika janë bërë për merkaton, por Agnelli vendosi t’i besonte drejtuesve.
“I kishim bërë vlerësimet tona në bazë të sezonit dhe jo një ndeshje teke. Zgjedhja e Pirlos ishte natyrale, një zgjedhje juventine. Andrea është një djalë që ka qenë pjesë e jona, ka luajtur këtu dhe nuk i ka shkëputur asnjëherë kontaktet me ne.
Kemi besim se është një i përzgjedhur i fatit, ashtu siç ishte edhe si futbollist. A rrezikoj shkarkimin? E kam të vështirë të mbroj veten, por Agnelli e përsëriti dje besimin kundrejt drejtuesve.
Më duket e vështirë të ndërrojë mendim pas pak orësh. Jam prej dhjetë vitesh pjesë e Juves dhe kam me të gjithë një raport që shkon përtej aspektit profesional“, thekson Paratici. /abcnews.al