Zgjedhja e pasuesit të Ilir Metës, a do të propozojë sot opozita kandidatë për raundin e tretë?

schedule08:45 - 29 Maj, 2022

schedule 08:45 - 29 Maj, 2022

Këtë të diel përfundon afati që ka opozita për t’i propozuar mazhorancës një ose disa kandaditë për kreun e ri të shtetit.

Raundi i tretë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës, të cilit i përfundon mandati më 24 korrik, do të mbahet të hënën, në orën 10.00. Edhe në këtë raund do të duhen të paktën 84 vota për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Deri më tani retorika e mazhorancës ka qenë për një president konsensual të zgjedhur nga palët, i cili nuk do të jetë nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.

Megjithatë, deri më sot, gjuha e përbashkët nuk është gjetur. Me Sali Berishën, mazhoranca e ka bërë të qartë se nuk do të ulet në tryeze dhe nuk do të pranojë asnjë kandidat që propozohet nga “Rithemelimi”.

Ndërsa, me Enkejeld Alibeajn duket se kushtet nuk po piqen. Alibeaj e akuzon mazhorancën se ka shkelur marrëveshjen e arritur ditë më parë për kushtet dhe kriteret e vendosura në draftin e përgatitur prej grupit të tij.

Mes opozitës ka qëndrime të ndryshme, aleatët dhe disa deputetë demokratë kanë propozuar që pakica të japë një emër të përbashkët ose të mos marrë më pjesë në proces, dhe të “mos bëhet pjesë e farsës”, që sipas tyre po luhet nga mazhoranca. Tashmë mbetet për t’u parë nëse opozita do të propozojë kandidatë në këtë raund të radhës, apo Presidenti do të zgjidhet nga mazhoranca në dy raundet e mbetura. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!