Zgjdhja e krizës, Baraj: Presidentit i duhet forcë të dalë mbi vetveten

schedule17:55 - 26 Mars, 2019

schedule 17:55 - 26 Mars, 2019

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, mendon se historia që ka Presidenti Ilir Meta me LSI-në e vë në vështirësi në qëndrimet e tij për situatën politike në vend. Sipas tij, presidenti që të luajë rolin e tij duhet të jetë i besueshëm dhe nuk mund të bëhet palë në krizën politike.

“Presidenti pikërisht për situata të tilla mbahet mend në Shqipëri sepse roli i tij në periudha të qeta është më shumë honorifik dhe kur krijohen situata të tilla kritike është mirë ta luajë atë rol, por ai ka një problem që lidhet me historinë e tij. Historinë e të qenit në krye të LSI-së. Ajo sikur e komplekson dhe herë pas here e bën që të mos jetë objektiv në qëndrimet e veta. I duhet shumë forcë për të dalë mbi vetveten, mbi historinë e vetvetes për të qëndruar  mbi palët. Jo thjesht në mënyrë deklarative, por në substancë të vet, që ta luajë rolin e tij dhe të jetë i besueshëm realisht që kërkon zgjidhjen e këtij ngërçi. Zgjidhja e ngërçit nuk mund të bëhet palë, kur duhet të ikë kryeministri i zgjedhur me vota dhe për të marrë rrugëzgjidhje”, tha Baraj gjatë emisionit “Mbrëmje ABC” nga gazetarja Mirela Milori.

Baraj bëri edhe një krahasim mes protestave të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Sipas tij ka një kontrast të thellë mes dy palëve.

“U bë kohë që kjo është një ngjarje shoqëruese për ditën në parlament. Ajo që të them të drejtën ndihem keq kur kaloj mes rreshtave të forcave të ruajtjes së rendit është pikërisht fakti te sjellja e këtyre protestave. Po të shikoni te protestat që ka zhvilluar PS dhe PD ka një kontrast të thellë dhe kontrasti u manifestua edhe herën e fundit, ditën e Kongresit kur u zhvillua një festë kur morën pjesë qytetarë të Tiranës, familjarë. Diferenca është thjeshtë në kulturën dhe mesazhin që jep lidershipi i PD-së dhe mesazhet që jep lidershipi i PS-së. Mesazhet që japim ne janë mesazhet paqësore të bashkëpunimit, të ruajtjes së qytetit, të mos veprimit të në mënyrë agresive dhe për fat të keq këta e kanë manifestuar agresivitetin e tyre edhe kur kanë qenë në pozitë, por edhe kur janë në opozitë”, u shpreh Baraj.

Për sa i përket rikandidimit të Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës, ai tha se, “Harmonia që ka gjetur Erion Veliaj në shërbim të qytetit dhe harmonia me pushtetin qendror është mbresëlënëse. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në drejtimin e Tiranës një harmoni e tillë. Edhe PD dhe Lulzim Basha e ka pasur në një hark kohor 2-vjeçar. Imagjinoni po të krahasojmë Lulzim Bashën e dy vjetëve të para ku kryeministër ishte Sali Berisha dhe Erion Veliaj, kur dy vitet e para ishte Edi Rama. Shikoni çfarë ndryshimi dramatik ka pësuar Tirana”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!