Aktori i njohur Dritan Borici, vjen në një rrëfim në Pas Mesnatë, me Leontina Nikën, në ABC News. Ai thotë se për të teatri është një maskë, që i tregohet një bote që mban shumë maska. Ndërsa poezia për të mbetet është zhaneri i cili mund të interpretohet më vështirë nga aktori.
“Poezia është zhaneri i cili mund të interpretohet më vështirë nga aktori dhe gjithmonë e më rrallë po gjejmë aktorë që mund të interpretojnë fjalën artistike. Për shumë arsye se kërkojnë një kulturë të gjerë, poezia nuk lexohet shumë, aq sa proza dhe shpesh aktorët gabojnë kur zgjedhin poezinë, sepse jo cdo poezi është për t’u interpretuar. Poeti e shkruan poezinë për t’u lexuar” shprehet ai, ndërsa rrëfen se një ndihmë në shtëpi, e merr nga bashkëshortja e tij, përkthyese, e cila e ndihmon në përzgjedhje.
“Jo vetëm për përzgjedhjen e poezive ajo është bashkëpunëtorja ime më e ngushtë edhe në mënyrën si do trajtoj rolet. Më pëlqen që bashkëshortja ime, Elda Borici ëshë një përkthyese, ndër më të mirat e gjuhës gjermane dhe më pëlqen që në shtëpinë tonë, bisedat për letërsinë janë të shpeshta.” vijon më tej Boriçi.
Ai thotë se nuk mund të jesh aktor pa lexuar shumë, ndryshe sic thotë, nuk ka shans që të interpretosh Shekspirin, Çehovin, ishin enciklopedi të mëdha. Ndër të tjera Boriçi flet edhe për bashkëpunimin me Blerina Shalarin, për të dalë në skena përtej Tiranës.
“Bashkëpunimi lindi menjëherë nga një takim, një takim në barin para TKOB dhe kur më tha se do bënte Homeriadën mua më pëlqeu si ide, të ngjallësh Homerin në një kohë luftrash edhe për Blerinën vetë ishte një simbolikë shumë e bukur. Janë 300 vargje, është poema më e mirë e interpretueshme për një aktor. Puna e saj ka qenë e jashtëzakonshme. Nuk do e bëja dot Homeriadën nëse nuk do më pëlqente Homeriada” thotë Boriçi.
“Teatri është një maskë, që i tregohet një bote që mban shumë maska. Teari është i rrezikshëm, mund të abuzohet sic e shohim shpesh duke mos qenë në Teatër, por ndoshta ëshë, mendoj, një nga artet më të larta një nga shpikjet më të mëdha që ka bërë njerëzimi që në kohët e mëparshme. Teatri ka lindur nga një maskë, por që dikush ia hoqi më vonë.” Thotë ai, ndërsa është kritik për disa prej shfaqjeve të vëna në skenë së fundmi.
“Unë e quaj teatri i Tallavasë. Ne fatkeqësisht po humbim shumë vlera, po humbim vlerat e muzikës së mirë, vlerat e një pikture të mirë të një libri të mirë. Teatri i mirë, arti i mirë nuk është ai që bën atë që do turma, arti i mirë është ai që e drejton këtë turmë drejt njeriut drejt vlerave morale. Këtu është dallimi i madh mes teatrit dhe asaj tallavaje të madhe që na rrethon.” -thotë ndër të tjera Borici./abcnews.al