Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve. Kështu i përshkruan “Zëri i Amerikës” zhvillimet ekonomike të vendit, duke iu referuar ekspertëve të ekonomisë.
Ditë të vështira po kalon ekonomia shqiptare. Është ky konstatimi i studiuesve të ekonomisë i pasqyruar edhe nga Zëri i Amerikës. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar-nënvizojnë ekspertët.
Jo vetëm kaq, por duke iu referuar edhe të dhënave zyrtare ka një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Ndërsa një vit më parë rritja ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike.
Një tjetër problem që vë në dukje “Zëri i Amerikës” është mungesa e investimeve të huaja që shihet po ashtu si një problem kryesor, sepse Shqipëria nuk është tërheqëse prej taksave të larta dhe investimet e huaja po shkojnë në vendet fqinje.
Sipas ekspertëve e vetmja shpresë po mbetet turizmi, i cili duket se ka lëvizje, por fitimet e tij nuk po shfaqen në përmirësimin e treguesve, ose se ka evazion fiskal dhe fitimet fshihen, ose se konsumi i turistëve ka zëvendësuar konsumin e shqiptarëve tashmë të larguar nga vendi.
Papunësia është një tjetër problem kryesor. Shifrat tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit janë punësuar vetëm 1 mijë e 200 persona, ose 200 vetë në muaj.
Ekspertët e ekonomisë pohojnë se paqëndrueshmëria e ligjeve ekonomike dhe trazirat politike janë faktorë shtesë që dëmtojnë ekonominë, po edhe kur ato kanë qenë të qëndrueshme, shifrat nuk kanë patur ndonjë përmirësim domethënës e të ndjeshëm./ABC News Albania 24/7