Zeneli: Duel i veçantë për mua me Suedinë! Festë po shënova? Të shohim…

schedule21:18 - 27 Mars, 2021

schedule 21:18 - 27 Mars, 2021

Arbër Zeneli është kampion Europe me Suedinë U21, por zemra i tha të luante për vendin e origjinës: Kosovën. Sulmuesi anësor, nga më të mirët te dardanët, ka dalë sot në konferencë për mediat dhe vlerëson maksimalisht kundërshtarin e mbrëmjes së nesërme.

“Siç e tha edhe trajneri, kemi folur për këtë ndeshje. E dimë se do të jetë një sfidë e rëndësishme. Brenda ekipit të Suedisë ka lojtarë të klasit botëror. Ata kanë një futbollist si Zlatan Ibrahimovic në ekip, janë shumë të fortë.

Megjithatë, ne duhet ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë. Sigurisht duhet bërë ndeshje e madhe për të marrë rezultat pozitiv”, u shpreh Zeneli, i cili më pas thekson se Kosova ka zbarkuar në Suedi për të marrë pikët e plota.

“Do të jetë ndeshje e veçantë për mua. Kam luajtur me Suedinë prej moshës 15-vjeçare.  Më ka ndihmuar të bëhem Arbri që jam sot. Mendojmë vetëm për fitore, do të përgjigjemi në mënyrën më të mirë. Ne shkojmë për pikët e plota”, shtoi Zeneli.

I ngacmuar nëse do të festojë në rast se i shënon Suedisë, sulmuesi i Kosovës deklaron: “Tani jam te Kosova dhe dëshira ime është të fitojmë ndeshjen. Të shohim pastaj. Nëse shënoj nuk e di nëse do të festoj apo jo. Le të shohim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!