Milani likuidoi skuadrën e Bologna, duke e mundur me rezultatin 5-1. Kuqezinjtë gëzojnë një formë të mirë sportive, që po shoqërohet me rezultate dhe objektivi është pjesëmarrja në Europa League. Trajneri Stefano Pioli, pas ndeshjes së mbrëmshme foli për DAZN dhe bëri thirrje për ruajtjen e përqendrimit, veç fjalëve të mira për ekipin e tij.
“Skuadra po shijon paraqitjet e veta, kjo është ajo që mund të shikohet nga mënyra si stërviten, si luajnë dhe si qëndrojnë gjithë kohën së bashku. Bologna është ekip i vështirë, ndaj me këtë lloj ecurie po tregojmë se kemi besim në atë që bëjmë. Nuk e kemi arritur ende objektivin, ndaj duhet të vazhdojmë të përqendruar.
Kemi punuar mirë gjatë periudhës së izolimit, por është mentaliteti ai që e bën ndryshimin. Tani jemi një ekip, kemi besim në atë që bëjmë dhe kjo bën që gjithçka të funksionojë më mirë. Fitoret me skuadra si Lazio dhe Juventus ishin sinjali i rritjes së nivelit”, tha Pioli, i cili më tej tregoi edhe pikën e kthesës për Milanin.
“Mendoj se ndeshja që na shtytjen e madhe ishte gjysmëfinalja e Kupës së Italisë, kundër Juventusit. Ishim shumicën e kohës me 10 lojtarë dhe pavarësisht kësaj ishim të organizuar, të vendosur dhe të fokusuar. U krijua ideja se me 11 lojtarë mund ta kishim mundur Juventusin. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për udhëtimin tonë, pasi u ndërgjegjësuam për atë që mund të bënim si skuadër”, shtoi tekniku i kuqezinjve.
Kessie mund të kishte shënuar golin e gjashtë në ndeshjen e djeshme, ndërkohë që Pioli e vlerëson maksimalisht rritjen e mesfushorit: “Franck është një mesfushor i kompletuar, modern, i cili bën mirë në fazën sulmuese dhe mbrojtëse. Tani është në kulmin e formës dhe prania e tij në fushë është e dukshme. E gjen gjithmonë gati dhe motivon skuadrën. Ai është bërë një lider i vërtetë në skuadër”.
Te Milani do të duhet ta qetësojnë Zlatan Ibrahimovic, i cili luaji vetëm një orë dhe doli nga fushë i zemëruar. Veç kësaj ai tha edhe diçka, por Pioli kërkon të qetësojë gjithçka. “Ai tha diçka në momentin e zëvendësimit, por ua them me sinqeritet që nuk e kuptova çfarë. Po luajmë çdo tre ditë dhe ai pati një dëmtim, ndaj është normale që duhet të pushojë herë pas here”, mbylli deklaratën e tij, trajneri i Milanit, Stefano Pioli. /abcnews.al