Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka ndarë një mesazh nga shtëpia e të moshuarve në Shkodër. Një prej tyre Smail Uka thotë se izolimi i ka dhënë mundësinë të botojë disa prej shkrimeve të tij, ndërsa citon disa prej vargjeve.
“O koronavirus ke mbyllur të gjithë në guaskë! Zemër korbi paske pas, as me të afërm s’mund të rrimë”. Sëmundja e pandemisë na izoloi bashkë me personelin. Jemi munduar me u ruajtur gjatë komunikimit me njëri tjetrin. Kemi komunikuar me celular. M’u dha mundësia që shkrimet e mia t’i shikoj mirë dhe t’i botoj”, shprehet ai.
Disa të tjerë tregojnë se janë frikësuar në fillim, ndërsa kanë një falënderim për stafin. “Kur e dëgjuam u trembën se ishte një sëmundje e padëgjuar. Stafi ka qëndruar me ne. Ka dy muaj pa shkuar në shtëpi. Çfarë kanë bërë për ne ata nuk do ta harroj sa të jem gjallë”, thonë ata.
Stafi i shtëpisë së të moshuarve tregojnë vështirësitë që kanë hasur. “Jemi bërë familje një me ta edhe pse ne kemi pasur vështirësitë tona se kemi lënë jashtë të afërmit. Unë kam 40 vite këtu dhe nuk kishim pasur ndonjëherë situatë si kjo. E kemi menaxhuar në mënyrën më perfektë. Kemi qëndruar dy muaj këtu me të moshuarit”, shprehet personeli. m.v/Abcnews.al