Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha mbrëmjen e djeshme se Rusia ka refuzuar propozimin për një armëpushim gjatë Pashkëve Ortodokse.
Presidenti ukrainas, megjithatë, tha në video mesazh se shpreson ende për paqe në Ukrainë. Gjithashtu Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për 7 miliardë dollarë në muaj për të rikuperuar humbjet ekonomike nga lufta.
Gjatë Forumit të Bankës Botërore dje, Zelensky tha se Ukrainës i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike të shkaktuara nga pushtimi rus dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përjashtojë menjëherë Rusinë nga organizatat financiare ndërkombëtare.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha vendeve që të ndërpresin lidhjet me Moskën.
Presidenti ukrainas tha se bllokimi i porteve të Detit të Zi nga rusët po pengon eksportet ukrainase, duke ndikuar kështu në sigurinë globale të ushqimit.
Për më tepër, kryeministri i Ukrainës Denis Smihal tha se PBB-ja e vendit mund të bjerë me më shumë se 50% këtë vit dhe tha se pas luftës vendit do t’i duhet një plan rimëkëmbjeje i ngjashëm me Planin Marshall të zbatuar në Evropën pas Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al/