Niveli i mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara do të përcaktojë numrin e partnerëve evropianë që do të jenë në gjendje të dërgojnë kontigjentin e tyre ushtarak për t’u vendosur në Ukrainë.
Kështu deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp pas një takimi në Paris të liderëve të vendeve për mbështetjen për Ukrainën dhe sigurinë në Evropë, transmeton Ukrinform.
“Është e rëndësishme për mua dhe e diskutova këtë me presidentin (Donald) Trump, i thashë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë të rëndësishme për ne, por jo një zgjidhje për një herë, por një sistem i përhershëm i mbrojtjes totale, plotësisht qind për qind të qiellit të Ukrainës. Ne po flasim për një komponent cilësor dhe sasior, që përbëhet kryesisht nga Patriot, NASAMS, dhe sisteme të tjera të Shteteve të Bashkuara”.
Ai shtoi se është i rëndësishëm edhe përfshirja e flotës ajrore të partnerëve ndërkombëtarë.
“Ne e kemi diskutuar këtë me kolegët tanë evropianë, por sa i përket Shteteve të Bashkuara, ne ende nuk e kemi ngritur këtë çështje me ta në detaje”, tha Zelensky.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një konferencë për shtyp pas samitit në Paris se një grup oficerësh ushtarakë franko-britanë do të shkonte në Ukrainë për të përpunuar formatin e trajnimit për ushtrinë ukrainase në të ardhmen.