Zelensky në OKB: Rrëmbimi i mijëra fëmijëve ukrainas nga Rusia është gjenocid

schedule21:19 - 19 Shtator, 2023

schedule 21:19 - 19 Shtator, 2023

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temën e armëve bërthamore.

Ai tha se shekulli 20 e ka mësuar njerëzimin që të mos përdoren armë për shkatërrim në masë, dhe që të promovohet çarmatimi i plotë bërthamor. Mirëpo, sipas tij, Rusia ende ka burime bërthamore dhe “nuk ka të drejtë” të posedojë armë bërthamore.

Por armët bërthamore nuk ishin shqetësimi i tij i vetëm por, gjithashtu edhe rrëmbimi i mijëra fëmijëve nga territoret e okupuara të Ukrainës.

Zelensky tha se në të kaluarën grupet terroriste kanë rrëmbyer fëmijë, mirëpo tani, në kohë lufte, rrëmbimi dhe dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi është politikë e Qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin, diçka që nuk është parë kurrë më parë.

“Janë dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se ndodhen në Rusi” ka thënë Zelensky, duke shtuar se “ne jemi duke tentuar që t’i kthejmë ata sërish në shtëpi, por koha po kalon”.

“Çfarë do të ndodhë me ta?” pyeti ai.

“Këta fëmijë në Rusi mësojnë që ta urrejnë Ukrainën dhe u shkëputen të gjitha lidhjet me familjet e tyre. Ky është gjenocid i pastër”, tha ai.

Në lidhje me pacifikimin në Ukrainë, ai tha se propozimi i tij do t’i jepte fund luftës dhe njoftoi se një samit i paqes është në punë, në të cilin ftoi vendet anëtare të marrin pjesë pasi të finalizohet.

“Ne nuk mund t’i besojmë të keqes, shembulli është Prigozhini,” tha ai në një referencë indirekte ndaj Putinit dhe shefit të Wagner Yevgeny Prigozhin, i cili u vra në gusht kur avioni i tij u rrëzua.

Përveç kësaj, ai iu referua edhe kërcënimeve kundër vendit, si transferimi i luftës nga Rusia në hapësirën kibernetike.  Gjithashtu ai vuri në dukje se si Rusia përdor ushqimin si armë, duke iu referuar bllokadës së porteve të Ukrainës, të cilat Rusia po i bombardon.

Zelensky e mbylli fjalimin e tij me dëshirën që lufta e Rusisë të ishte e fundit në botë dhe thirri “Slava Ukraini” mes duartrokitjeve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!