Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky krahasoi Rusinë me Gjermaninë naziste, teksa propozoi ndryshimin e datës së festimeve së “Ditës së Fitores” në 8 maj në një projektligj të paraqitur para ligjvënësve në Kiev.
Ashtu si Rusia, Ukraina tradicionalisht përkujton fitoren ndaj nazistëve më 9 maj, por kjo datë është bërë gjithnjë e më shumë e lidhur me një paradë në Moskë, e përdorur nga Kremlini për të treguar fuqinë e tij ushtarake.
“Është më 8 maj që shumica e kombeve të botës kujtojnë madhështinë e fitores ndaj nazistëve”, tha Zelensky të hënën.
“Ne nuk do të lejojmë që të përvetësohet fitorja e përbashkët e kombeve të koalicionit anti-Hitler dhe nuk do të lejojmë gënjeshtra sikur fitorja mund të kishte ndodhur pa pjesëmarrjen e ndonjë vendi apo kombi”.
Duke krahasuar pushtimin rus të Ukrainës me qëllimet ekspansioniste të Hitlerit, Zelensky tha se qëllimi i të dy regjimeve ishte i njëjtë “skllavërim ose shkatërrim”.
“Fatkeqësisht, e keqja është kthyer. Ashtu si atëherë e keqja u vërsul në qytetet dhe fshatrat tona, kështu po bën tani, si atëherë vrau njerëzit tanë, ashtu po vepron edhe tani,” tha ai.