Zelensky: Anëtarësimi i Ukrainës në BE, “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit rus

schedule22:43 - 5 Maj, 2022

schedule 22:43 - 5 Maj, 2022

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Ukrainës anëtarësim në këtë bllok, meqë sipas tij, ky veprim do të përbënte “përgjigje të fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, teksa tenton të rrisë ndikimin në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë Ukrainën, ashtu që të pengojë integrimin e tyre në organizatat perëndimore.

“Kjo luftë e Rusisë kundër Ukrainës është planifikuar si masë për goditje ndaj një Evrope të bashkuar. Bashkësia më e madhe është përgjigje e fuqishme”, ka thënë ai më 5 maj, kur është pyetur për kandidaturën zyrtare për anëtarësim.

Kandidatura hap derën për negociata zyrtare për anëtarësim, një proces që përfshin miratimin e ligjeve të BE-së, dhe përmbushjen e kritereve.

Ukraina ka ndjekur rrugën e integrimit evropian prej rrëzimit nga pushteti të ish-presidentit, Viktor Yanukovych më 2014.

Blloku evropian prej 27 vendeve anëtare nuk është zgjeruar që gati një dekadë, për shkak të mbështetjes së vogël nga shtetet kyçe dhe rritjes së ngadalshme ekonomike.

Zelensky ka thënë se blloku evropian duhet ta bëjë Ukrainën vend kandidat “menjëherë”, dhe atë me procedurë të përshpejtuar.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje Perëndimit që të ketë rol aktiv për rindërtim të shtetit, pas përfundimit të luftës.

Duke iu referuar Planit Marshall, një iniciativë e gjerë amerikane për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore – dhe si mburojë kundër Moskës – Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë për “plan strategjik ndërkombëtar”, duke përfshirë para, teknologji dhe specialistë.

Pushtimi rus ka shkatërruar ekonominë e Ukrainës, ka dëmtuar infrastrukturën në vlerë të miliarda dollarëve – duke përfshirë, aeroporte, ura, porte dhe centrale të shumta.

Mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi pesë milionë të tjerë kanë ikur nga shteti./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!