Zelandë e Re, homazhe në nder të viktimave

schedule11:15 - 17 Mars, 2019

schedule 11:15 - 17 Mars, 2019

Buqeta me lule dhe vallëzime tradicionale janë bërë në Zelandën e Re në nder të viktimave të sulmit të së premtes, ku humbën jetën 50 persona. Ndërkohë, policia vijon hetimet mbi ngjarjen.

Homazhe të shumta janë bërë në Kristçërç të Zelandës së Re, në nder të 50 viktimave të sulmit të armatosur në dy xhamitë e qytetit. Një memorial me lule është ngritur nga banorët në përkujtim të të ndjerëve, ndërkohë që një grup motoçiklistësh performuan vallëzimin tradicional Maori. Gjithashtu, ajo që ra në sy ishte dërgimi i një buqete me lule nga një çift i sapomartuar.

Ndërkohë, mbi ngjarjen kanë vijuar hetimet nga të cilat ka rezultuar se atentatori i së premtes, 28-vjeçari australian Brenton Tarrant, veproi i vetëm. Ndërkohë, tre personat e tjerë të ndaluar dyshohet se nuk kanë lidhje me sulmin, deklaroi komisari i policisë vendase Majk Bush. Zyrtari i lartë tha se, autoritetet po punojnë me ritme të shpejta për të identifikuar të gjitha viktimat e sulmit në xhamitë Al Nur dhe Linvud.

“Është një proces i ndjeshëm dhe ne jemi të vetëdijshëm për aspektet kulturore dhe fetare të tij”, tha Bush. 34 persona të tjerë, të cilët mbetën të plagosur nga breshëritë e të shtënave, ndodhen ende në spital për të marrë mjekime. Disa prej tyre kanë marrë plagë të rënda, përfshirë një vajzë 4-vjeçare, që mbetet në gjendje kritike. Agresori, i prezantuar si një supremacist i bardhë, transmetoi live aktin e tij në Facebook. Rrjeti social bëri me dije se brenda 24 orëve të para që nga verifikimi i sulmit ka hequr 1.5 milionë video dhe shtoi se edhe versionet e tjera të modifikuara të ngjarjes do të hiqen në vazhdim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!