Një qendër e gjerë karantine me më shumë se 4,000 dhoma po ndërtohet në veri të Kinës në përgjigje të një vatre të re koronavirusi në Shijiazhuang, një qytet me më shumë se 10 milionë banorë në provincën Hebei.
Pamjet satelitore nga Agjencia Evropiane e Hapësirës tregojnë ndryshime të konsiderueshme gjatë 10 ditëve në një zonë ku kishte pasur vetëm tokë para se të fillonte ndërtimi më 13 janar.
Nga pamjet mund të shihen rreshta godinash të parafabrikuara. Gazeta zyrtare e shtetit raportoi se më shumë se 600 dhoma ishin gati deri më 19 janar. 3600 të tjera do të shtohen deri në kohën e përfundimit.
Punëtorët e ndërtimit dhe materialet janë dërguar nga i gjithë vendi për të ndihmuar në ndërtimin e qendrës, njoftoi media shtetërore. Është praktikë e zakonshme që Kina të mobilizojë burimet në të gjithë vendin për të trajtuar fatkeqësitë natyrore dhe krizat e tjera.
Vitin e kaluar, dy spitale, Huoshenshan dhe Leishenshan, u ndërtuan brenda ditësh për të trajtuar pacientët me COVID-19 në qytetin e Wuhan, ku u zbulua për herë të parë koronavirusi. s.b/abcnews.al/