Kina ka njoftuar zbulimin e vendburimit më të madh të arit që është identifikuar në vend që prej vitit 1949, me rezerva të vlerësuara në rreth 1 444 tonë, në provincën Liaoning. Zbulimi u realizua brenda vetëm 15 muajsh, në një periudhë kur çmimet e arit po arrijnë nivele rekord.
Ministria e Burimeve Natyrore konfirmoi se vendburimi i ri, i quajtur “Dandong”, përmban rreth 2,586 milionë tonë mineral, me përqendrim mesatar prej 0,56 gramë ari për ton shifër që përkthehet në mbi 1 400 tonë ar të pastër. Me çmimet aktuale të tregut, kjo sasi vlerësohet në më shumë se 166 miliardë euro.
Projekti u realizua nga kompania shtetërore Liaoning Geological and Mining Group, e cila angazhoi afro 1 000 ekspertë e punonjës për të përfunduar kërkimet në një kohë mjaft të shkurtër për një vendburim të këtij kalibri. Autoritetet e përshkruajnë vendburimin si “gjigant”, ndonëse me përmbajtje të ulët ari, ndërsa vlerësimi fillestar ekonomik është tashmë i përfunduar. Vendndodhja e saktë nuk është bërë publike, çka ka nxitur spekulime për arsye strategjike.
Zbulimi vjen në një periudhë ku kërkesa globale për ar është rritur ndjeshëm. Gjatë vitit 2025, çmimet e arit janë rritur mbi 50%, si pasojë e dobësimit të dollarit, tensioneve gjeopolitike dhe blerjeve masive nga bankat qendrore, sidomos të ekonomive në zhvillim.
Kina ka shtuar ndjeshëm kërkimet për vendburime të reja vitet e fundit. Në vitin 2024 u raportuan dy zbulime të rëndësishme: një vendburim mbi 1 000 tonë në provincën Hunan dhe një tjetër mbi 40 tonë në Gansu. Prodhimi kombëtar i arit në vitin 2024 arriti 377,24 tonë, një rritje e lehtë krahasuar me vitin paraardhës.

