Zbulohet burim i ri nafte në Shqipëri

schedule22:00 - 24 Maj, 2019

schedule 22:00 - 24 Maj, 2019

Zbulohet një burim i ri i naftës në vendin tonë. Kompania amerikane Shell, konfirmon potenciale të mëdha nafte në Shpirag. Kryeministri Rama e cilëson ketë lajm si një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë tonë.

Kompania amerikane Shell ka arritur të zbulojë rezerva të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri, në pusin Shpirag-4, prane Beratit.

Në një njoftim për shtyp, kompania bën të ditur se Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri.

“Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.” thuhet ne njoftimin e  kompanisë Shell.

Shell vlerëson se pusi ka një potencial të madh të prurjeve të naftës që do të çojë në rritje të investimeve të kompanisë në Shqipëri.

Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale disa mijëra fuçi nafte në ditë.

Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve ku ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.

Kryeministri Rama e ka cilësuar këtë zbulim si “lajm fantastik për rritjen e nesërme të ekonomisë së vendit”. Ai konfirmon në një reagim në rrjetet sociale, se kompania Shell vijon investimet për te zbuluar burime të reja.

Zbulimi i Shpiragut u konfirmua në vitin 2013 nga pusi Shpirag-2, i cili tregoi prezencën e një kolone të lehtë nafte në të paktën 800 m në rezervuar.

Shell zotëron 100% të interesave në bllokun 2 dhe 3 dhe do të marrë efektivisht 100% të të drejtave në Bllokun 4 përgjatë vitit 2019. Hapësira e përbashkët e Bllokut 2-3 dhe Bllokut 4 është 4084 km2.

Brenda kësaj hapësire janë identifikuar burime të tjera të mëdha hidrokarburesh, ende të pavlerësuara, por që sigurojnë mundësi për aktivitete të mëtejshme eksploruese./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!