Një varreze që duket se i përket periudhës së Mesjetës është zbuluar gjatë gërmimeve të ekspeditës arkeologjike që po zhvillohet tek ish-merkata e vjetër në Durrës. Gërmimet po drejtohen nga arkeologia Brikena Shkodra.
Arkeologia thotë se ky vend gjatë Mesjetës njihet si një pikë tranzite mes zbulimeve të qytetit bizantin dhe atij romak. Sipas Shkodrës, përveç varreve mesjetare janë shfaqur edhe shtresat e para të dyshemesë së një ndërtimi, që për momentin mbetet i panjohur.
Arkeologia thotë se gërmimet do të vazhdojnë rreth 30 ditë, ndërsa më pas zona do të kthehet në gjendjen fillestare, për të rinisur në të njëjtën pikë në vitet e ardhshme. Kjo është ekspedita e dytë që arkeologia Brikena Shkodra po zhvillon në Durrës, pasi pak muaj më parë gërmimet ishin përqendruar tek Forumi Bizantin. /abcnews.al/