Vetëm disa orë pas aksidentit tragjik, janë publikuar detaje të reja në lidhje me vdekjen e futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota. Ai humbi jetën së bashku me vëllain e tij, André Jota, gjithashtu futbollist, në një aksident automobilistik në kufirin mes Spanjës dhe Portugalisë.
Të dy po udhëtonin me një automjet luksoz të markës Lamborghini, të marrë me qira, me destinacion qytetin Santander, prej nga ku synonin të udhëtonin drejt Anglisë me traget. Mësohet se Diogo Jota kohët e fundit kishte kryer një ndërhyrje në mushkëri dhe, për arsye mjekësore, i ishte rekomanduar të shmangte udhëtimet ajrore.
Sipas autoriteteve spanjolle, aksidenti ndodhi në autostradën e Zamorës, ku automjeti, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, doli nga rruga dhe mori flakë pas shpimit të njërit prej gomave. Rindërtimi paraprak i ngjarjes tregon se makina po lëvizte me mbi 120 kilometra në orë – tej limitit të lejuar – në momentin që po kryente një manovër parakalimi. Një çarje në gomën e pasme, e kombinuar me sipërfaqen e pabarabartë të rrugës, çoi në humbjen e kontrollit, përplasjen me barrierat anësore dhe shpërthimin e mjetit.
Autostrada ku ndodhi aksidenti është përmendur shpesh në të kaluarën për problemet e saj të infrastrukturës. Vetëm dhjetë ditë më parë, një grua mbeti rëndë e plagosur në një tjetër aksident në të njëjtin segment rrugor, ndërkohë që banorë dhe drejtues mjetesh kanë denoncuar vazhdimisht mungesën e mirëmbajtjes.
Në përkujtim të Diogo Jotës, klubi i Liverpool-it njoftoi se do të tërheqë nga përdorimi fanellën me numrin 20. Ky vendim u mor pas kërkesave të shumta nga tifozët, edhe pse në futbollin anglez, tërheqja e numrave të fanellave është një veprim jo i zakonshëm.
Ndërkohë, bota e sportit vazhdon të shprehë dhimbjen për humbjen e një prej futbollistëve më të dashur të viteve të fundit./abcnews.al