Zbulimi tronditës, tre asteoridët gjigantë mund të mbjellin vdekjen në tokë, çfarë thonë shkencëtarët

schedule11:41 - 18 Nëntor, 2022

schedule 11:41 - 18 Nëntor, 2022

Astronomët kanë pikasur tre asteroidë afër Tokës që nuk ishin zbuluar për shkak të shkëlqimit të diellit. Një nga asteroidët është objekti më i madh potencialisht i rrezikshëm për Tokën i zbuluar gjatë tetë viteve të fundit.

Sipas CNN, steroidët i përkasin një grupi të gjetur brenda orbitave të Tokës dhe Venusit, por ata janë tepër të vështirë për t’u vëzhguar sepse shkëlqimi i diellit i mbron nga vëzhgimet e teleskopit.

Për të shmangur shkëlqimin e diellit, astronomët shfrytëzuan mundësinë për të kryer vëzhgimet gjatë perdes së shkurtër të muzgut. Një ekip ndërkombëtar ndoqi shkëmbinjtë hapësinorë ndërsa përdorte Kamerën e Energjisë së Errët të vendosur në teleskopin 4 metra Víctor M. Blanco në Observatorin Ndër-Amerikan Cerro Tololo në Kili.

Gjetjet e tyre u publikuan dje në The Astronomical Journal, raporton abcnews.al.

Një nga asteroidët, i quajtur 2022 AP7, është 1.5 kilometra i gjerë dhe ka një orbitë që mund ta sjellë atë në rrugën e Tokës në të ardhmen, por është e vështirë për shkencëtarët të dinë se kur.

“Studimi ynë në muzg po kërkon zonën brenda orbitave të Tokës dhe Venusit për asteroidë,” tha autori kryesor i studimit Scott S. Sheppard, një astronom në Laboratorin e Tokës dhe Planeteve të Institutit Carnegie për Shkencën në Uashington.

“Deri më tani ne kemi gjetur dy asteroidë të mëdhenj afër Tokës që janë rreth 1 kilometër të gjerë, një madhësi që ne e quajmë vrasës planetësh.”

Shkencëtarët zbuluan se asteroidi kalon në orbitën e Tokës, por kjo ndodh kur Toka është në anën e kundërt të diellit – ky model do të vazhdojë për shekuj meqë asteroidit i duhen pesë vjet për të përfunduar një orbitë rreth diellit.

Por me kalimin e kohës, lëvizja orbitale e asteroidit do të jetë më e sinkronizuar me atë të Tokës.

Shkencëtarët nuk e dinë orbitën e asteroidit me saktësi të mjaftueshme për të thënë se sa i rrezikshëm mund të bëhet në të ardhmen, por tani për tani, ai “do të qëndrojë shumë larg nga Toka”, tha Sheppard.

Një asteroid afër Tokës me përmasa 1 kilometër ose më i madh “do të kishte një ndikim shkatërrues në jetën siç e njohim ne”, tha ai. Pluhuri dhe ndotësit do të mbushnin atmosferën për vite, duke ftohur planetin dhe duke parandaluar që rrezet e diellit të arrijnë në sipërfaqen e Tokës.

“Do të ishte një ngjarje e zhdukjes masive siç nuk është parë në Tokë prej miliona vitesh,” tha Sheppard.

Ekipi pret të gjejë më shumë asteroidë vrasës planetësh gjatë dy viteve të ardhshme. Shkencëtarët besojnë se ka rreth 1000 objekte afër Tokës me përmasa më të mëdha se 1 kilometër dhe kërkimet gjatë dekadës së fundit kanë gjetur rreth 95% të tyre.

Dy asteroidët e tjerë, 2021 LJ4 dhe 2021 PH27, janë në orbita shumë më të sigurta që nuk paraqesin rrezik për Tokën.

Megjithatë, astronomët janë të intriguar nga 2021 PH27, sepse është asteroidi më i afërt i njohur me diellin. Ndërsa shkëmbi hapësinor i afrohet yllit tonë, sipërfaqja e tij arrin temperatura mjaft të nxehta për të shkrirë plumbin.

Astronomët që gjuajnë asteroidë përballen me një sfidë të madhe nëse duan të gjejnë shkëmbinj hapësinorë brenda sistemit të brendshëm diellor – i cili përfshin Mërkurin, Venusin, Tokën, Marsin dhe rripin kryesor të asteroideve. Për të shmangur dritën e fortë të diellit, ata kanë vetëm dy dritare 10-minutëshe çdo natë për të kontrolluar zonën me teleskopë tokësorë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!