Zbulimi i armatimeve në veri të Kosovës/ Sveçla: Automjeti i konfiskuar, pronë e një ndërmarrjeje shtetërore të Serbisë

schedule12:58 - 24 Qershor, 2023

schedule 12:58 - 24 Qershor, 2023

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar nga policia ditën e djeshme në veri të vendit, ku në një automjet me targa serbe në Zveçan, u gjet një sasi e konsiderueshme armësh.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Sveçla u shpreh se automjeti në të cilin ishin vendosur armatimet, tanimë i konfiskuar, është në pronësi të një ndërmarrjeje shtetërore të Serbisë.

Sipas Sveçlës, është shmangur një sulm terrorist, teksa shtoi se do të kërkojë nga qeveria që “Mbrojtjen Civilen” ta shpallë organizatë terroriste.

“Shmangëm një sulm terrorist, u identifikua një makinë më targa të Serbisë, u zbulua sasi e madhe e armatimit, mjete eksplozive, armë automatike, shok-bomba, uniforma. Ka shenjë dalluese të njësive ruse, radio lidhje, të cilat më herët janë gjetur në zyrën e tij Aleksandër Filipovic. Këto mjete kishin për qëllim shkaktimin e sulmeve në Kosovë. Vetura e konfiskuar është me targa të Beogradit, është pronë e një ndërmarrjeje shtetërore të Serbisë. Kjo është e qartë se kush qëndron prapa sulmeve”, theksoi ministri ndër të tjera.