Zbatimi i marrëveshjes, më 4 prill pritet të diskutohet formimi i komisionit mbikëqyrës

schedule10:47 - 1 Prill, 2023

schedule 10:47 - 1 Prill, 2023

Kosova dhe Serbia javën e ardhshme do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, e para që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Më 4 prill do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se nenet e marrëveshjes bazë duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës, por pa specifikuar asnjërin prej 11 neneve të marrëveshjes.

Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë, komentojnë pritjet e tyre për takimin e radhës të dialogut, derisa edhe akuzojnë Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog.

Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se Qeveria po punon në fillimin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

Sipas saj, pala kosovare po vazhdon të jetë konstruktive në dialog dhe se nuk do të bëjë problem në implementimin e pikave të përfshira në marrëveshje.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thekson se palët në dialog kanë shumë pak hapësirë për moszbatim të marrëveshjes.

Ai thotë se marrëveshja është e monitoruar nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe se pasojat politike dhe ekonomike do të jenë shumë të mëdha për palët që nuk e zbatojnë marrëveshjen.

Pas marrëveshjes bazë të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, megjithëse nuk pati nënshkrim të saj.

Në kuadër të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente. Ndërkaq, për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

/KosovaPress/