Gjykata e Elbasanit ka shpallur në kërkim Mihal alias Mirgen Toshi, pasi akuzohet se është autori kryesor i dyshuar për krimin e ndodhur më 30 dhjetor të 2011-s në Elbasan, ku mbeti i vrarë me disa plumba, biznesmeni Ilir Rexhepi.
Mësohet se jo më larg sesa sot gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Mihal alias Mirgen Toshi.
Por në këtë fazë ku ndodhen hetimet, ai s’mund të arrestohet pasi ndodhet në një burg të Selanikut në Greqi, ku po vuan dënimin me 16 vite burg për trafik droge.
Kujtojmë se Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës.
Në momentin që Toshi ka qëlluar ndaj Rexhepit, edhe ky i fundit është kundërpërgjigjur me armë zjarri duke e lënë të plagosur Toshin. Nga gjakderdhja që ka pasur në vendin e ngjarjes dhe ekspertizës, me anë të ADN është bërë i mundur identifikimi i tij si ekzekutor i Rexhepit. e.l/abcnews.al/


