Zbardhet vendimi për Berishën/ Kushtetuesja jep argumentet: Masa “detyrim paraqitje” ishte kushtetuese

schedule18:38 - 1 Janar, 2025

schedule 18:38 - 1 Janar, 2025

TIRANË- Afro dy muaj pasi rrëzoi kërkesën e tij për shpalljen antikushtetuese të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitjeje”, të caktuar nga SPAK,  Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për Sali Berishën.

Trupa e Gjyqtarëve e gjeti të pabazuar kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike për cenim të parimeve të pavarësisë dhe paanshmërisë.

Gjykata vlerëson se masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, (në rastin konkret një herë në dy javë), nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon kërkuesin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet.

Mbi të njëjtin argument, Gjykata vlerëson se edhe masa e sigurimit e ndalimit për të dalë jashtë shtetit nuk e pengon kërkuesin të zhvilloje jetën e tij parlamentare. Për rrjedhojë, edhe autorizimi i kuvendit nuk është i nevojshëm.

 Gjykata arrin në përfundimin se togfjalëshi “ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme” i referohet vetëm lirisë personale, të mbrojtur nga neni 27 i Kushtetutës dhe ai gjen zbatim vetëm në ato raste kur ndaj deputetit vendoset një masë kufizuese, që i heq lirinë personale.

Për pasojë, autorizimi i Kuvendit është i nevojshëm vetëm nëse masat kufizuese të vendosura ndaj kërkuesit përbëjnë kufizim/heqje të lirisë së tij personale, i cili është i tillë që sjell pasoja në vetë të drejtën e deputetit për t’u zgjedhur, në aspektin e ushtrimit të të drejtave të tij si deputet, pra të vetë veprimtarisë parlamentare.

Ndërkohë, më 17 janar, Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sërish për Sali Berishën për të shqyrtuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur një vit më parë nga Gjykata e Posaçme.

Kjo do të jetë hera e dytë që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë çështjen e Berishës, këtë herë ndërsa kreu i PD është në liri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!