Zbardhet rendi i ditës, mblidhet sot Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës

schedule09:44 - 17 Maj, 2021

schedule 09:44 - 17 Maj, 2021

Këtë të hënë do të mblidhet sërish Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pasi pretendohet se ky i fundit ka kryer shkelje antikushtetuese par dhe përgjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Mbledhja është parashikuar që të nisi në orën 13:00, ndërsa në rendin e ditës së sotme parashikohet miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 14 maj 2021. Mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës ishte ditën e premte ku u zgjodhën edhe dy ekspertët ligjor të komisionit, Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun.

Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni teksa prezantoi kalendarin e punimeve të komisionit tha se në 18 maj është parashikuar seancë dëgjimore me presidentin Meta. Ndërsa në 24 maj do të prezantohet raporti final i komisionit hetimor që më pas do t’i drejtohet dhe seancës plenare.

Hyseni në mbledhjen e kaluar tha se i është kërkuar informacion 6 institucioneve në lidhje me objektin e hetimit të komisionit. Konkretisht, kërkesë Presidencës në lidhje me ndarjen e titujve gjate fushatës, kërkesë AMA-s për të vënë në dispozicion materialet filmike të Presidentit, kërkesa bashkisë dhe policisë, për takime të Presidentit gjatë periudhës zgjedhore, kërkesë SPAK nëse ka kallëzime, kërkesë drejtuar Shërbimit Informativ Shtetëror.

Sjellim në vëmendje se Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, erdhi pas një nisme nga socialistët e nënshkruar nga 49 deputetë me argumentin se ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor.

Pasi çështja të shqyrtohet në Komisionin Hetimor, i cili do të përpilojë një raport, çështja do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

Do jetë pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që do të marrë vendimin përfundimtar nëse Meta duhet shkarkuar.

Kujtojmë se Presidenca nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do të njohë as asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore sipas saj të Kuvendit një partiak.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së dates 14 maj 2021

2. Marrja e datyrës nga eksperti ligjor z. Artan Spahiu

3. Komunikimi i përgjigjeve të institucioneve të tjera dhe prezantim me informacionin e ardhur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive

4. Çështje të tjera

E.L/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!