Zbardhet plagosja e biznesmenit në Sarandë, policia: Kush ishte shkaku, identifikohen 3 autorët

schedule11:37 - 20 Qershor, 2021

schedule 11:37 - 20 Qershor, 2021

Është zbardhu plagosja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Sarandës, ku biznesmeni Spiro Iljadha apo i njohur ndryshe si Ermal Iljazi ka mbetur i plagosur para lokalit të tij “Orange”. Nga breshëria e plumba mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit Marin Jano 33-vjeç.

LEXO EDHE:20 plumba biznesmenit në Sarandë, me helikopter drejt Tiranës, plagoset edhe një kalimtar

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë policia raporton se ka identifikuar tre autorët. Ata janë Andrea Caushi, Visi Caushi dhe Redjan Hadëri, të tre të shpallur në kërkim.  Policia sqaron se rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, personat e shpallur në kërkim, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me armë zjarri Spiro Iljadhan 35 vjeç, i cili sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe Spiro Iljadhas.

Njoftimi i policisë:

“Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në lagjen Nr.1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I., dhe M. J.Identifikohen dhe shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mengjesin e sotëm, kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar, shtetasit:A. C., 35 vjeç V. C., 33 vjeç (vëllezër) dhe R. H., 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë.

Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasit S. I.

Nga ana e Policisë po punohet intensivisht për kapjen e tyre, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale  “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, njofton Policia. e.l/abcnews.al/.