Nuk do të paguajmë para për strehimin e përkohshëm të emigrantëve dhe Italia do të largojë secilin prej tyre menjëherë pasi të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil. Kjo është garancia që jep qeveria shqiptare për marrëveshjen Rama-Meloni, përmes disa detajeve të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim. Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj strukturat për qëndrimin e migrantëve.
Kufiri maksimal i personave që mund të qëndrojnë të strehuar në të njëjtën kohë është jo më shumë se 3 mijë persona. Italia përballon çdo shpenzim për migrantët e strehuar përfshirë: çdo kosto të kujdesit shëndetësor, çdo kosto tjetër të paparashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare. Afati maksimal i qëndrimit të një migranti nuk mund të jetë më i madh se sa koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes.
Në përfundim të procedurave, me shpenzimet e saj bën largimin e migrantëve nga Shqipëria. –thotë qeveria shqiptare.
Informacioni i ndarë deri më tani nuk saktëson se për sa gjatë do të funksionojë kjo qendër dhe se cilat mund të jenë risqet, qoftë edhe sociale të Shqipërisë, e cila, siç tha Rama, përgjigjet sa herë që Italia thërret.
Komisioni Evropian i kërkoi këtë të martë më shumë informacion Italisë mbi marrëveshjen e firmosur me Shqipërinë. KE-ja, thotë se edhe pse ka qenë e njoftuar paraprakisht për këtë procedurë, dëshiron të garantohet se nuk po cenohen standardet ndërkombëtare të azilkërkimit.
Në këtë pikë, ngelet për tu qartësuar se ku do të kenë të drejtë të kërkojnë azil këta refugjatë, në Itali për ku ishin nisur apo në Shqipëri ku do të sosen?