Zbardhet marrëveshja që do firmoset nga koalicioni opozitar “PD-AN”, rikthehet dhe Bamir Topi

schedule16:37 - 24 Shkurt, 2021

schedule 16:37 - 24 Shkurt, 2021

Partia Demokratike dhe 13 aleatët e saj pritet të shkojnë në zgjedhjet e 25 Prillit me emrin e koalicionit të përbashkët “Partia Demokratike- Aleanca për Ndryshim”. Risi në listë është partia e ish-presidentit Bamir Topi i cili rikthehet në Partinë Demokratike pas disa vitesh në mungesë. Partia aleate që mbajti në “ankth” të djathtët deri ditën e fundit ishte Partia Republikane. Fatmir Mediu dha “ok” paraditen e sotme pas një takimi me kryedemokratin Basha në selinë blu.

Në marrëveshjen që pritet të firmoset nga 14 krerët e partive, palët theksojnë se bëhen bashkë për të garantuar që në zgjedhjet e ardhshme t’i sjellin ndryshimin vendit. Ata bëjnë përgjegjës për dështimin e vendit, kryeministrin aktual Edi Rama. Bashkimi nën një koalicion të përbashkët do bëjë që partitë e vogla aleate të identifikohen në zgjedhje me siglën e partisë më të madhe të djathtë “PD”, ndërsa shkronjat nistore të koalicionit janë “PD – AN”.

Marrëveshja autorizon kryedemokratin Lulzim Basha që t’i paraqesë KQZ-së listat e kandidatëve për deputetë, ndërsa Ivi Kaso do dërgojë pranë këtij institucioni kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e 25 Prillit.

Aleatët e djathtë theksojnë se numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të konkretizohet kur të dorëzohet lista shumëemërore e kandidatëve të koalicionit sipas modelit të përcaktuar.

Në listë do të përfshihet numri i kandidatëve dhe renditja e tyre bazuar në peshën elektorale për secilën parti, ndërsa çdo kandidat nuk do të identifikohet me partinë e tij por me koalicionin në tërësi.

MARRËVESHJA E PLOTË

PËR KRIJIMIN E KOALICIONIT

“PARTIA DEMOKRATIKE – ALEANCA PER NDRYSHIM”

Sot më datë 23.02.2021, ne, partitë politike të mëposhtme:

Ne po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë.

Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë.

Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e fortë. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama.

Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike dhe prandaj

VENDOSËM QË:

  1. Të formojmë një Koalicion për të konkuruar së bashku në zgjedhjet për kuvendin të datës 25 Prill 2021.
  2. Emri i koalicionit është “Partia Demokratike – Alenaca per Ndryshim”
  3. Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë: “PD – AN”

Sigla e Koalicionit është PD

Partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë

  1. Të autorizojmë Z. Lulzim Basha, Kryetari i Partisë Demokratike, që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.
  2. Të autorizojmë Z. Ivi Kaso që:

Të paraqesë kërkesë për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca per Ndryshim”, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së.

Të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit.

Të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.

  1. Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij. Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit të përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr. 1 dt. 23.12.2020 të KQZ.
  2. Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësive partiake.
  3. Kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit të saj.

Partitë e Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca per Ndryshim”, firmëtare të kësaj marrëveshje

PARTIA DEMOKRATIKE

Kryetari

Lulzim BASHA

PARTIA REPUBLIKANE

Kryetari

Fatmir MEDIU

PARTIA PËR DREJTËSI INTEGRIM DHE UNITET

Kryetari

Shpëtim IDRIZI

PARTIA LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR

Kryetari

Dashamir SHEHI

PARTIA BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Kryetari

Vangjel DULE

PARTIA AGRARE AMBIENTALISTE

Kryetari

Agron DUKA

PARTIA DEMOKRISTIANE

Kryetari

Nard Ndoka

PARTIA FRYMA E RE DEMOKRATIKE

Kryetari

Bamir TOPI

PARTIA BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT

Kryetari

Arian STAROVA

PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT

Kryetari

Artur ROSHI

PARTIA BASHKIMI DEMOKRAT

Kryetari

Ylber VALTERI

PARTIA MENDIMI DJATHTË LIBERAL

Kryetari

Mustafa LICI

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT

Kryetari

Shpëtim Axhami

PARTIA KRISTIAN DEMOKRATE

Kryetari

Dhimitër Muslia

/mv.abcnews.al