Zbardhet letra e Macron drejtuar Vuçiçit, ja çfarë thotë për Kosovën

schedule10:39 - 29 Gusht, 2024

schedule 10:39 - 29 Gusht, 2024

Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të shkojë këtë të enjte në Serbi për një vizitë dyditore, gjatë së cilës do të diskutojë tema të shumta me presidentin Aleksandar Vuçiç.

Ai ka dërguar paraprakisht dhe një letër, e cila është publikuar nga mediat vendase, ku përmend disa pika kyçe.

“Sot po vij sërish në Serbi me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij duhet të kenë një Serbi të fortë dhe demokratike në krahun e tyre dhe Serbisë i duhet një Bashkim Evropian i fortë dhe sovran për të mbrojtur dhe promovuar interesat e saj, ndërsa duke respektuar identitetin e saj”, thuhet fillimisht në letrën e dërguar nga zyra e Presidentit të Francës.

“Ashtu si Franca, unë jam i bindur për këtë, Serbia aspiron pavarësinë dhe sovranitetin që mund t’i japë vetëm Bashkimi Evropian, duke poseduar mjetet e autonomisë së tij strategjike. Ne do ta ndërtojmë këtë autonomi strategjike së bashku duke i siguruar vetes mjetet për sigurinë dhe duke forcuar bashkëpunimin tonë në mbrojtje.”

Duke folur për Kosovën, Macron ka deklaruar se rruga e propozuar drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: “Mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë me respektim të ligjit, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë, por edhe ekzistencën e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.

Ai po ashtu ka theksuar se personalisht do të angazhohet, pasi është i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe.

Macron do të zbarkojë në Beograd rreth orës 18:00, do të ketë një takim me Vuçiçin, i cili fillimisht do t’i bëjë një pritje festive para Pallatit “Serbia”.

Pas takimit mes Macron dhe Vuçiç, përfaqësuesit e Serbisë dhe Francës do të nënshkruajnë disa dokumente dypalëshe në prani të dy liderëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!