Gjykata e Krimeve të Rënda lë ne burg Redjan Rrajën, i dyshuar kryesor për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Mësohet se togat e zeza vlerësuan si të ligjshëm arrestimin dhe pranuan kërkesën e prokurorisë për “arrest me burg”.
Gazetarja Glidona Daci bën me dije për abcnews.al se Rraja ka qendruar i heshtur dhe nuk ka dhënë asnjë lloj sqarimi. Nuk ka pranuar të flasë dhe ka folur vetëm avokati i tij. Rraja nuk ka pranuar në asnjë moment që ka qenë ai që ka kryer atentatin.
Në seancën e sotme kanë diskutuar vetëm prokurorët e çështjes. Sipas organit të akuzës prova që e inkriminon Rrajën janë gjurmët gishtërinjve në një palë syze në makinën e braktisur që u gjet në Ishëm.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe për arsye sigurie nuk është lejuar as media.
Prokuroria ka marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë, që janë të përfshrë në ngjarje. Dyshohet se janë persona të inkriminuar në veri të vendit. Prokurorët janë bazuar tek fakti që ai është u dyshuari kryesor pasi ka një provë shkencore për të.
Gjithashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të rezultatit të ADN, të cilat po analizohen nga kampionet e marra në dy maskat e gjetura në makinën e autorëve. Mendohet se këto kampione kanë gjurmë biologjike, një shishe benzinë dhe 2 automatikë.
Për këtë ngjarje përvec Rrajës, nuk ka persona të tjerë të arrestuar, ndërkohë që burime pranë Krimeve të Rënda thanë se 2 personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje mendohet të jenë nga veriu i Shqipërisë.
Gjykata për Krimet e Rënda ka urdhëruar një sërë kontrollesh në banesa, si dhe ka autorizuar përgjimin e dhjetra telefonatave të personave të skeduar që mund të ketë dijeni për këtë ngjarje kriminale.
Ndërkaq, avokati mbrojtës u shpreh se gjykata nuk duhet të jepte këtë vendim, pasi prokuroria ende nuk ka një provë konkrete për Rrajën.
Redjan Rraja ka pohuar më herët në polici se ditën që ndodhi ngjarja ka qenë në lëvizje në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Fushë-Krujës një intenerar që ai e bënte vazhdimisht, mirëpo, ka dyshime se Redian Rraja është kapur nga valët e celularëve diku afër vendit të ngjarjes./abcnews.al