Zbardhen lëvizjet e menaxherit të “Arbri Garden”

schedule15:46 - 8 Mars, 2018

schedule 15:46 - 8 Mars, 2018

Donaldo Lushaj, menaxheri i kompanisë “Arbri Garden” ka dalë së fundi 6 herë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës. ABC News ka mësuar se prokurorët e dosjes së 613 kilogramë kokainë po bashkëpunojnë me kolegët në Kosovë për të mësuar aktivitetin e Lushajt në këtë vend.

Pas prangosjes së menaxherit të kompanisë “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj, i cili ishte personi që kreu veprimet doganore për të tërhequr kontenierin, ku gjet edhe sasia rekord e kokainës prej 613 kilogramë, ABC News ka mësuar nëpërmjet sistemit TIMS, hyrjet dhe daljet e tij më të fundit nga Shqipëria.

Për herë të fundit 25-vjeçari kishte dalë nga vendi ynë përmes pikës kufitare të Morinës, më datë 5 Shkurt. Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka kërkuar informacion nga kolegët e tyre të Kosovës, se çfarë aktiviteti ka atje Donaldo Lushaj dhe cilët kanë qenë personat që ai ka takuar në këtë vend.

Vetëm në një muaj, nga 2 Janar deri ne 5 Shkurt, menaxheri i kompanisë “Arbri Garden”, kishte kaluar 6 herë kufirin drejt Kosovës. Hetuesit kanë dyshime se, i riu mund të jetë përdorur si korrier, pasi nuk ka qëndruar më shumë se një ditë në Kosovë. Gjatë daljes nga Morina drejt Kosovës, Lushaj ka përdorur dy automjete me targa, AA 361 RH dhe AA 471 SU.

Bashkë me Donaldo Lushajn, i prangosur qëndron edhe drejtuesi i kamionit, Armando Pezaku. Administratori i kompanisë së bananeve, Arbër Çekaj vijon të jetë në arrati prej datës 28 Shkurt, kur u kap droga në kontenierin që kishte ardhur nga Kolumbia, duke kaluar tranzit në portet italiane e Maltës dhe destinacion përfundimtar atë të Durrësit. Më herët, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar letërporosi edhe Prokurorisë së Livornos.

Organi i akuzës shqiptare kërkon nga autoritetet italiane të njihet me praktikën e ndjekur gjatë kontrollit në kontenierin, ku u gjet drogë, në portin e Italisë së jugut. Grupi hetimor ka krijuar dyshime mbi dokumentacionin që shoqëronte mallin, i cili ishte porositur nga administratori i kompanisë, “Arbri Garden”.

Organi i akuzës kërkon të sqarojë nëse ishte kontrolluar në të vërtetë ose jo kontenieri në portin e Livornos dhe çfarë procedurash ishin ndjekur atje. Sipas burimeve nga hetimi, deri tani dyshohet se në këtë trafik ndërkombetar kokaine janë të përfshirë të paktën 12 persona.

Lëvizjet e Donaldo Lushaj gjatë 2018-s në drejtim të Morinës:

02 Janar 2018, kthehet në të njëjtën datë 02 Janar 2018.
13 Janar 2018, kthehet në të njëjtën datë 13 Janar 2018.
21 Janar 2018, kthehet në të njëjtën datë 21 Janar 2018.
22 Janar 2018, kthehet në të njëjtën datë 22 Janar 2018.
26 Janar 2018, kthehet në të njëjtën datë 26 Janar 2018.
5 Shkurt 2018, kthehet në të njëjtën datë 5 Shkurt 2018.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!